“Po drekoja në restorant kur erdhi….” Ndoja dëshmon në polici

AKTUALITET


Prokurori Arjan Ndoja, shënjestra e një atentati me armë ku mbeti i plagosur ai dhe dy shoqëruesit e tij në makinë, ka dhënë dëshminë e tij për ngjarjen në polici. Ndoja ka thënë se ka qenë duke drekuar në një restorant në Durrës kur në tryezë më pas janë ulur edhe Maloku dhe Muharremi. “Kam qenë duke drekuar në një restorant. Erdhi Maloku e Muharremi e një tjetër dhe janë ulur në restorant. Më pas u nisëm drejt Tiranës”, ka deklaruar Ndoja për grupin hetimor të çështjes.

Gazetarja Klodiana Lala tha se prokurori kishte shkuar i vetëm në lokal. Pasi kanë ngrënë drekën, ata janë nisur drejt Tiranës, ndërsa mjeti i tij ishte me xhama të zinj pas. Prokurori ka refuzuar kategorikisht që të lidhë atentatin për shkak të detyrës së tij. Para grupit hetimor Ndoja mësohet të ketë mohuar faktin se ka qenë shënjestër e sulmit.

“Nëse do të më adresoheshin mua, nuk kishin arsye të më vrisnin në autostradë. Mua mund të më vrisnin në derë të shtëpisë, në prokurori. Nuk ka arsyeje që të më sulmonin në autostradë”, ka pohuar prokurori.

Policia ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave në restorantin ku ka drekuar Ndoja për të zbuluar ndonjë person të dyshimtë që mund ta ketë ndjekur.

Deri tani policia dyshon se atentati ka qenë i porositur dhe autorët dyshohet se janë vrasës me pagesë, nga Veriu i vendit ose nga Kosova. Autorët e atentatit kanë qenë me dy automjete, një prej të cilëve i ka prerë rrugën, makinës së Ndokës. Kanë qenë manovrat e shoferit Andi Maloku, që i kanë shpëtuar jetën Ndojës dhe Lahos.

Pas breshërisë së plumbave, të pajisur me maska dhe armë,  autorët janë larguar nga rruga e Ishmit, duke iu shmangur kamerave të sigurisë. Ata kanë shmangur kalimin nga aksin Durrës, Vorë-Fushë-Krujë, duke i bërë më të vështira hetimet.

Por e dyshimte vijon të mbetet fakti se autorët e krimit nuk kanë djegur makinën që përdorën në atentat e cila u gjet nga policia dhe brenda saj edhe maskat dhe dy armë të tipit kallashnikov. Makina deri tani përbën një provë të rëndësishme për policinë dhe do t’i nënshtrohet ekspertizës.

Hetimet për këtë atentat të rëndë po kryesohen nga Prokurori i Krimeve të Rënda Anton Martini, i cili  mori në pyetje prokurorin Ndoja dhe sipas burimeve ai ka dhënë detaje të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes.



Skip to toolbar