Kreshnik Dashaj, 37 vjeçari që u gjet i vrarë në lagjen Kushtrimi të Vlorës, i shtrirë në anë të rrugës, me hematoma në kokë dhe në trup, jetonte në kushte të vështira ekonomike dhe për të mbajtur familjen i duhej të punonte 16 orë në ditë në një fabrikë këpucësh. Vrasja e tij do të hetohet nga Krimet e Rënda ndërsa dyshohet se ka ndodhur për një konflikt të mëparshëm të viktimës me vrasësit.
Vrasja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur 37-vjeccari ndodhej shumë pranë banesës së tij. policia ka kqyrur zonën dhe ka marrë në pyetje banorët. Ata kanë thënë se gjatë kësaj ore nuk kanë dëgjuar krisma armësh, çka bën të mendosh se ndoshta është qëlluar me silenciator ose nga shumë pranë.
Po kështu, Policia ka kërkuar dhe për gëzhoja për të saktësuar armën me të cilën është qëlluar në drejtim të Dashajt, por nuk ka gjetur asnjë gjurmë të tillë. Mësohet se trupi i pajetë është gjetur i rënë përmbys. Në atë zonë, bizneset janë kryesisht familjare e dyqane të vogla dhe mungojnë kamerat e sigurisë. Po kështu, gjatë momentit kur mendohet se ka ndodhur ngjarja, zona dhe rruga në afërsi të banesës së viktimës ishte pa ndriçim, për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Kreshnik Dashaj, me origjinë nga fshati Lubonjë, ishte vendosur rreth 12 vjet më parë në Vlorë. Ai punonte në një fabrikë këpucësh në Vlorë, ndërsa disa vite më parë ka jetuar edhe si emigrant në Greqi. Për shkak të pagës së ulët, babait të një vajze 7 vjeçe i duhej të punonte deri në 16 orë në ditë për të mbajtur familjen. 37-vjeçari rezulton person pa precedentë penalë dhe i paskeduar nga Policia.
Policia është duke punuar në disa pista për të zbardhur motivin e vrasjes së tij. Hetuesit po kërkojnë prova nëse 37- vjeçari është përfshirë në ndonjë konflikt gjatë kohëve të fundit, ndërsa një tjetër pistë është ajo e ndonjë tentative për grabitje, e cila ka shkuar keq.