Në gjykatën e Krimeve të Rënda është zhvilluar të shtunën seanca gjyqësore në ngarkim të grupit Bajri ku dy të pandehurit kanë sulmuar dhe kanë akuzuar prokurorin Anton Martini. Në dëshminë e tyre Safet e Behar Bajri kanë hedhur poshtë akuzat ndaj tyre dhe kanë thënë se këto akuza janë të sajuara nga prokurori Anton Martini.
“Duan të na mbajnë në burg me çdo kusht. Janë akuza të sajuara, mos na mbani pa të drejtë. Gjithçka e kemi nga prokurori Anton Martini”, janë shprehur ata në Gjykatë.
Në përfundim gjykata la në burg dy të pandehurit ndërsa avokati i grupit “Bajri”, Arbër Hoxhaj, tha për mediat se pretendimet e ngritura për akuza të reja ndaj klientëve të tij nuk janë gjë tjetër, por ngjajnë me një flluskë sapuni.
“Mund të themi me bindje se kjo është një flluskë sapuni dhe prokuroria e di se është flluskë sapuni. Nuk janë akuza të reja. Ta akuzuarit pretenduan paligjshmërinë e këtij vendimi. Në dijeni tonë, për të hetuarit Behar, Safet, dhe Ilir Bajri, Asmer Bilali dhe Safet Rustemi u la në fuqi masa e sigurisë arrest me burg. Në radhë të parë nuk kemi të bëjmë me akuza të reja, por me dyshime”-tha Hoxhaj.
Për katër anëtarë të grupit Bajri u shua masa e sigurisë me burg për akuzat e ngritura nga prokuroria për operacionin e shtatorit të vitit të kaluar. Por duke qenë se prokuroria nuk arriti të mbyllte hetimet dhe të dërgonte dosjen në gjyq ngriti akuza të reja duke kërkuar sërish arrestimin e tyre, pra që të vijojnë të qëndrojnë në qeli duke bllokuar lirimin.
Pak ditë më parë prokuroria në vijim të operacionit ‘Oaz’ kërkoi masat ‘arrest me burg” për Behar Bajri, Safet Rustemin, Ilir Rustemin, Asmer Bilalin, Ismet Idrizin dhe Jorida Muratin. Po e njëjta masë sigurie është caktuar në mungesë edhe për Sirjan Alijan, tashmë i shpallur në kërkim. Bajrat dhe personat e tjerë akuzohen se ushtruan presion dhe kërcënuan zyrtarët e spitalit të Shkodrës që të punësohej mikja e Behar Bajrit, Jorida Murati, e cila merrte pagën pa shkuar në punë dhe mbante kontakte me të edhe kur ai ishte në Holandë.