Në ditën ndërkombëtare të Luftës kundër dhunës ndaj grave, kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Ymeraj deklaroi se pavarësisht ashpërsimit të dënimeve ende mbetet i lartë numri i veprave penale ku përfshihet dhuna ndaj gruas, apo dhunë në familje. Në një aktivitet të zhvilluar të hënën nga prokuroria e Tiranës, Ymeraj tha se janë 200 persona të arrestuar për dhunë në familje.
“E nisim këtu pranë akuzës ditën e parë kundër dhunës, pasi motoja jone është: bashkë kundër dhunës. Janë ashpërsuar dënimet për veprat penale të dhunës ndaj gruas. Këto vepra penale janë të shpeshta dhe një fenomen shqetësues”, u shpreh Ymeraj.
“Sa herë që goditet një femër ne të gjithë bëhemi të ndjeshëm. Të ndërgjegjësojmë veten, ambientin ku jetojmë, kështu të ndërgjegjësojmë të gjithë shoqërinë”, tha Nurihan Sehitaj, anëtare e KLP-së.
Ndërsa prokuroria Genci Qana tha se rastet e dhunës vijnë të shumicën e rasteve nga familjet me probleme ekonomike.
“Prokurorët dhe gjyqtarët janë qenie njerëzore, shpesh shohim edhe anën njerëzore. Rastet e dhunës i takojnë familjeve me probleme ekonomike dhe shoqërore. Sistemi penal kështu siç është ndërtuar ndikon edhe mbi autorin dhe viktimën, pasi shpesh autori është i vetmi që sjell të ardhura në familje. Ne jemi një hallkë e këtij zinxhiri. Një pjesë fare e vogël i përsërisin sërish veprimet. Dënimi penal ka efekt, ne duhet të ndërgjegjësojmë viktimat e dhunës, të cilat refuzojnë të ndihmojnë gjatë procesit penal. Po vëmë re qe në praktikë dalin vështirësi në zbatimin e urdhrave të mbrojtjes. Gjykata thotë të qëndrojnë në distancë 500 metra në një kohë kur ata të dy dhunues dhe viktimë jetojnë nën një çati. Kjo është vështirësi e zbatimit në praktikë”, deklaroi nga ana tjetër prokurori Genci Qana.
Në mbarë botën në ditën e sotme zhvillohen manifestime kundër dhunës ndaj grave.