Tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit në Shqipëri ka pasur një vëmendje maksimale nga të gjitha shtetet e Europës por edhe nga SHBA. Ambasada Amerikane në Tiranë njofton se në ndihmë të skuadrave të shpëtimit që ndodhen në zonat e prekura si Thumana dhe Durrësi kanë ardhur edhe Forcat e Ushtrisë Amerikane.
“Forcat e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nga Njësia për Mbështetjen Civile dhe Ushtarake në Kosovë mbërritën dje në Shqipëri, për të mbështetur operacionet ndihmuese pas tërmetit të 26 nëntorit. Shqipëria është një vend partner, aleat dhe mik dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë punën e përbashkët për të ndihmuar popullin shqiptar në këtë kohë të vështirë për të”, thekson ambasada amerikane.
Ndihma në njerëz dhe mjete kanë dërguar edhe shtete të tjera si Italia, Rumania, Turqia, Franca, Zvicra, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Maqedonia, Izraeli e shumë vende të tjera, të cilët kanë marrë pjesë në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit të personave që kanë mbetur nën rrënoja.