Përfundojnë kërkimet, 50 viktima nga tërmeti. Rama: Së shpejti, vlerësimi i banesave

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama njoftoi në mbledhjen e qeverisë së numri i viktimave nga tërmeti ka shkuar në 50, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar.  Kryeministri tha se kanë ardhur grupe ekspertësh nga Italia, Greqia, e Franca të cilët gjatë të shtunës do të dalin në terren dhe do të bëjnë vlerësimin e banesave. Rama tha se aktualisht në spitale marrin ndihmë mjekësore 41 persona, 34 te Truama, 4 në Durrës, 3 të tjerë jashtë vendit për kurim dhe disa në një vëzhgim shumë intensiv për të parë ecurinë, ndërkohë që ministria e Shëndetësisë ka gati transferimet nëse do të kërkohet nga mjekët. Ndërsa gjithsej janë 2472 persona që janë akomoduar nëpër hotele, por jo të gjithë e kanë shtëpinë të shembur apo me plasaritje, shumë prej tyre janë transferuar nëpër hotele për shkak të traumës që kanë kaluar dhe nuk futen dot në banesat e tyre.

Në fjalën e tij në mbledhjen e së shtunës, Kryeministri ka vlerësuar trupat shqiptare që punuan për nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat duke theksuar se 38 qytetarë janë shpëtuar prej tyre.

“Numri i qytetarëve që janë ndarë nga jeta si rezultat i tërmetit ka mbërritur në 50 dhe operacionet e kërkim shpëtimit janë përfunduar. Duke përsëritur edhe njëherë shprehjen më të fuqishme të mirënjohjes për të gjithë ata që u përfshinë në këto operacione dhe duke i shprehur mirënjohjen më të thellë miqve dhe partnerëve që në një kohë shumë të shpejtë mobilizuan trupa të super specializuar më lejoni të përsëris që trupat tona, forcat e përfshira në momentin më akut të krizës meritojnë vlerësimin më të lartë dhe këtë e them jo thjesht për t’iu kthyer një përgjigje sqaruese atyre që përpiqen të thonë se po të mos ishin trupat e huaja ne nuk do kishim arritur dot të shpëtonim askënd por për t’iu thënë të gjithëve që duhet të jemi e duhet të jem krenar për trupat tona pasi deri në momentet e pasdites vonë kur ka mbërritur forca e parë e kërkim shpëtimit numëroheshin 38 të shpëtuar nga gërmadhat. Natyrisht që në 10 operacionet pasuese kontributi i trupave të ardhura ndihmë ka qenë jetik por ama 38 njerëz janë shpëtuar nga trupat tona. Pa dashur fare ta mohoj faktin që trupat tona kanë nevojë për t’u fuqizuar në pikëpamje të mjeteve dhe për t’u motivuar edhe më shumë duke u nisur nga trajnime më të specializuara padyshim që as nuk bëhet fjalë për të vënë në dyshim dhe jo më për të qeshur kapacitetet e tyre”, deklaroi kryeministri.

Ai vlerësoi më tej edhe shërbimin e urgjencës si të standardeve më të mira ndërkombëtare. Rama shtoi se trupat franceze, trupat italiane janë vendosur tani urat e komunikimit dhe shumë shpejt do të nisë dhe bashkëpunimi.

“Dua të bëj dhe një detajim këtu që nuk më duket hiç i parëndësishëm që në tërësinë e skuadrave të integruara që u krijuan, skuadra jonë e urgjencës është absolutisht e standardeve më të mira ndërkombëtare. Gjithë përfaqësuesit e trupave të kërkim shpëtimit që kanë ardhur nga jashtë e kanë thënë këtë me admirim. Një efekt pozitiv i gjithë kësaj është se me trupat franceze, trupat italiane janë vendosur tani urat e komunikimit dhe shumë shpejt do të sjellin dhe planet e fuqizimit të trupave tona, në aspektin e mjeteve, në aspektin e njohurive dhe trajnimeve të përbashkëta duke vlerësuar përkushtimin heroik të njerëzve tanë”, u shpreh kreu i qeverisë.



Skip to toolbar