Lot, këngë vaji dhe zi. Kjo është atmosfera e trishtë në Pallatin e Kulturës në qytetin Durrësit, aty ku i jepet lamtumira e fundit 8 anëtarëve të familjes Lala, më e goditura nga tërmeti fatal i 26 nëntorit. Gratë janë veshur me te zeza siç e do zakoni, qajnë dhe këndojnë këngë vaji për jetët e shuara në mes në mënyrë tragjike. Arkëmortet janë mbushur me lule. I gjithë qyteti qan. Edhe kryeministri Rama i pranishëm në ceremoninë mortore nuk i mbajti dot lotët.
“Çfarë dhimbje përballë fotove të vogëlushëve që humbën jetën nën trupin e nënës që u shemb përtokë nga goditja fatale e peshës së shtëpisë së shembur. Zoti e bëftë të lehtë dheun e 8 viktimave të familjes Lala”, thotë Rama.
Shumë e dhimbshme historia e Marjetës, nëna që vdiq në krevat e përqafuar me tre fëmijët e saj. Një histori që ka gjetur pasqyrim edhe në mediat botërore. Një dhimbje pa fund teksa 8 arkëmorte përcillen për në banesën e fundit.
Gjyshja Sahadetja, djali Iliri, nusja Marjeta, mbesa Grisilda, fëmijët e Marjetës, Amelia, Emilio, Dionisa dhe Enisi do kalojnë sot për herë të fundit në qytetin që i priti dhe i mori përjetësisht.
I vetmi i mbijetuar i kësaj familje është Ramë Lala, i cili është nisur për mjekim të specializuar në Itali.
Edhe Presidenti Meta mori pjese në homazhet për anëtarët e familjes Lala. “E pamundur të gjesh fjalë për të ngushëlluar familjen Lala pas kësaj tragjedie të tmerrshme. Zoti u dhëntë forcë për ta përballuar këtë dhimbje të pangushëllueshme. Detyimi ynë për t’i qëndruar pranë atyre gjithmonë”, është shprehur Meta.