Kryeministri Edi Rama ka marrë mbështetjen e Trump, Merkel dhe Macron për organizimin e një konference donatorësh në ndihmë të Shqipërisë për pasojat e tërmetit tragjik që shkaktoi 51 viktima e mijë banesa e apartamente të dëmtuara. Këtë mbështetje të marrë e ka bërë publike vetë kreu i qeverisë pas samitit me liderët botërorë në NATO, ku interes për ngjarjen tragjike në Shqipëri kanë shfaqur edhe vendet si Danimarka, ose Holanda, e cila deri më sot nuk kishte shprehur solidaritet për tragjedinë e shkaktuar nga tërmeti.
“U ndjeva i inkurajuar nga fakti që të gjithë ishin në dijeni dhe të interesuar të dinin më shumë. Kemi diskutuam, kam bërë bisedë të gjatë me presidentin e Francës, Kancelaren, kryeministrin e Holandës, kryeministri i Danimarkës ka qenë shumë i interesuar, kryeministri Conte pa diskutim, por edhe kryeministri i Kanadasë. Kemi folur dhe me presidentin Trump dhe Erdogan. Qëllimi është për të zhvilluar një konferencë të madhe donatorësh, kjo më është kërkuar”, tha Kryeministri.
Rama shtoi, gjithashtu, se tema kryesore e bisedës së tij ishte tërmeti i 26 nëntorit, por nuk mbeti pas as tema e negociatave. “Fokusi ka qenë për këtë temë, por ka pas edhe mbi ecurinë e integrimit në BE, si mund të shkojë procesi mbi dokumentin e paraqitur nga Franca. Por, unë kam qenë shumë i fokusuar te tërmeti, pasi kjo është më e rëndësishme sot. Është një moment për të kuptuar qartë të gjithë se përtej dallimeve e kundërshtive, Evropa është e gjitha e bashkuar në mbështetje të shqiptarëve”.
Kryeministri foli edhe për ftesën dërguar Lulzim Bashës për t`u ulur në tryezë diskutimi. Rama tha se nuk ka sens që të vijojë historia e deklaratave në distancë, ndërsa tragjedia i ka goditur të gjithë njësoj. “Nuk ka asnjë sens që të vijojë historia me deklarata dhe komunikata në distancë kur të gjithë ne jemi të goditur nga e njëjta tragjedi por të gjithë jemi në nevojë për të ndërtuar çatinë e një shtëpie më të madhe se shtëpia e politikës, shtëpia e Shqipërisë”, tha Rama.