PS i heq kompetencat për betimin e gjyqtarëve. Meta: Mos më provokoni

AKTUALITET


Ndërkohë që Partia Socialiste depozitoi në Kuvend nismën ligjore që i heq presidentit mundësinë për të bllokuar emërimin e gjyqtarëve duke mos i thirrur në betim, presidenti Ilir Meta tha për gazetarët se nuk merret me cic-mice të tilla dhe bëri thirrje që askush të mos e provokojë presidentin.

“Presidenti i Republikës nuk është në punë, nuk është në detyrë, por siç e kam thënë është në një mision dhe nuk provokohet nga cic mice të tilla, nga kushdo që i orkestron ato. Presidenti i Republikës ka qenë është dhe do të jetë garant i kushtetutës së Republikës dhe i fton të gjithë të merren me përballimin pasojave tërmetit. Kush gjen kohë në këto momente për të provokuar presidentin e republikës dhe popullin e Shqipërisë për t’u marrë me çështje të tjera, duhet ta ketë të qartë se presidenti e di shumë mirë detyrën e tij dhe është i ndërgjegjshëm për misionin e tij”, tha Meta.

Pak më herët gjatë të martës PS depozitoi në Kuvend disa ndryshime në ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese përmes të cilave kufizon afatin që ka presidenti në dispozicion për të thirrur në betim anëtarët e Kushtetueses dhe nëse përfundon afati prej 10 ditësh, anëtari në fjalë e depoziton betimin në formë të shkruar, siç veproi Arta Vorpsi, anëtarja e përzgjedhur nga KED për Gjykatën Kushtetuese.



Skip to toolbar