9 persona janë arrestuar nga policia e Durrësit në bashkëpunim me prokurorinë e këtij qyteti për dosjen “Tërmeti”, ndërsa 8 të tjerë janë shpallur në kërkim. Të akuzuarit më të shumtë janë për shpërdorim detyre por nuk mungon edhe akuza e vrasjes me dashje apo vrasjes në rrethana cilësuese. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrëst Lorenc Shehu se bashku me Prokuroren e Rrethit Anita Jella dhe Drejtorin e Drejtorisë për Krimet Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit Lutfi Minxhozi dhanë detajet e operacionit si dhe bënë zyrtarisht të ditur emrat e personave të arrestuar.
Sipas policisë në pranga ka rënë Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja me dashje”.
Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
Defrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës.
Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshaur si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Policia njoftoi se nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit.
Ndërkaq policia bëri të ditur se janë 8 persona që janë shpallur në kërkim, disa prej të cilëve janë larguar jashtë shtetit ose para ose fill pas tërmetit. Largimi i tyre theksohet se nuk ka lidhje me hetimet e ndërmarra nga prokuroria. Gjithsesi si kryeprokurorja e Durrësit, Anita Jella ashtu edhe drejtuesi i policisë nuk pranuar të zbardhnin identitetet e këtyre personave për arsye se hetimi për këtë çështje vijon dhe pritet të ketë të tjera arrestime.
“Ndërkohë, vijon puna e pandërprerë në terren për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi, por për arsye hetimi nuk i bëjmë me dije gjeneralitetet e tyre. Theksojmë faktin se disa prej personave, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi janë larguar jashtë shtetit menjëherë pasi ra tërmeti.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se është tërësisht e vendosur dhe e përkushtuar për të garantuar rendin e sigurinë, për të luftuar krimin e organizuar, atë ekonomik e financiar duke çuar para drejtësisë personat përgjegjës”, tha drejtori i policisë së Durrësi.