Rezarta Hajdari 19 vjeç ka ndërruar jetë si pasojë e konsumimit të një helmi së bashku me bashkëshortin e saj Olsi Hajdari i cili vijon të jetë në reanimacion nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë që të tjera detaje dalin në pah nga vetëvrasja e çiftit të sapo martuar në Librazhd.
Ende nuk ka një version përfundimtar zyrtar se cilat ishin rrethanat dhe motivet që shtynë çiftin të ndërmarrë aktin fatal të vetëhelmit vetëm 5 ditë pas martesës, ndërkohë që policia ka marrë në pyetje prindërit dhe të afërmit e çiftit të të rinjve.
Prindërit kanë deklaruar se çifti shkonte mjaft mirë, një detaj që duket edhe në fotot dhe fjalët që kanë shprehur për njëri-tjetrin në rrjetet sociale. Prindërit e djalit kanë deklaruar se ata janë gjetur të dy në dhomën që mbante erë helmi, djali me shkumë nga goja dhe nusja pothuajse e pajetë.
Por Policia dhe Prokuroria nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të llojit të helmit të përdorur.
Megjithatë burime spitalore bënë me dije për ABCnews se helmi i përdorur dyshohet të jetë fostoksinë, nisur edhe nga aroma që lëshon ky helm pas përdorimit.
Gjithsesi do të duhet të dalin përgjigjet e ekspertimit shkencor për të përcaktuar llojin e helmit.
Hetuesit shpresojnë që të zbardhin ngjarjen vetëm pas deklarimeve të Olsi Hajdarit, por ai ndodhet ende në reanimacion.