Kryeministri Edi Rama, ndërsa ka parë nga afër dëmet e shkaktuara nga tërmeti në qytetin e Laçit ka deklaruar se spitali i ri i këtij qyteti do të jetë gati brenda qershorit. Kryeministri gjithashtu ka thënë se një lagje e re do të ndërtohet në këtë qytet dhe se ky qytet shumë shpejt do të rilindë. Ai gjithashtu ka bërë thirrje që të nxirren banorët jashtë pallateve që janë shpallur të pabanueshme nga ekipet e ekspertëve dhe të asistohen me bonus qiraje.
“Faleminderit për të gjithë punën dhe sakrificat. Ky është spital partizan për momentin. Do ta kalojmë këtë fazë kështu por ne shumë shpejt do ndërtojmë spitalin e ri. Kemi bërë gjithë përgatitjet për të filluar projektin. Do ta bëjmë shumë më mirë se ai që është. Optimal për ju që të jetë në lartësinë tuaj spitali. Jeni super gra dhe vajza, ju e mbani në këmbë dinjitetin e Laçit. Se burrat janë një çik, e keni parasysh apo jo drejtor.
Do bëhet një projekt i madh për Laçin, me faza. Spitalin do e bëjmë shpejt dhe me teknologji të re, antisizmike, gjithçka. Unë besoj që deri në fund të pranverës do e bëjmë spitalin e ri, ja deri në qershor. Por besoj se 6 muajt e parë do e mbyllim. Do e bëjmë model. Detyra juaj t’iu mësoni burrave se kur bëhet fëmija do 9 muaj. Mësojeni se çfarë heq një grua për ta çuar fëmijën në jetë se ata nuk e kuptojnë. E dinë se janë partnerë të barabartë në jetë”, tha kryeministri mes batutave dhe humorit.