Në të gjitha rrugët kryesore të vendit, duke nisur nga sot dhe deri në përfundim të festave të fundvitit do të ketë një prezencë të shtuar të patrullave të policisë rrugore, të cilat do të jenë të pajisura me radarë dhe me matës të alkoolit për shoferët e makinave. Më shumë forca policore kryesisht në qytete e mëdha si Durrësit, Tirana, Elbasani apo Fieri në kuadër të masave shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore gjatë ndërrimit të viteve.
Në një prononcim për mediat Drejtori i Policisë Rrugore Edmond Tarkaj, u shpreh se të gjithë policët do të jenë në punë dhe vëmendja do të shtohet edhe në sheshet kryesore të qyteteve ku pritet të grumbullohen njerëz për të pritur ndërrimin e viteve.
Po ashtu Takaj u bën thirrje qytetarëve të mos konsumojnë alkool, kur janë drejtues mjeti. Drejtuesit e mjeteve në raste të konsumimit të alkoolit të përdorin mjetet e transportit publik, pasi do jenë nën kontroll të rreptë të Policisë Rrugore.
Po në kuadër të këtyre masave, gjatë orëve të para të mëngjesit të datës 1 janar e në vijim do ketë kontrolle të shtuara duke përdorur alkooltestuesit drager, me qëllim parandalimin e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që për të realizuar qëllimet e tyre, të nisen më herët për të arritur në destinacion dhe të mos shpejtojnë duke shkelur rregullat e qarkullimit, të cilat janë burim aksidenti. “Të festojnë e të konsumojë edhe alkool, por jo drejtues mjeti. Drejtuesit e mjeteve në raste të konsumimit të alkoolit të përdorin mjetet e transportit publik, pasi do jenë nën kontroll të rreptë të Policisë Rrugore”, deklaroi policia.
Njëkohësisht, policia apeloi për të gjithë këmbësorët, biçikletistët dhe drejtuesit e motoçikletave, të tregojnë kujdes maksimal këto ditë e të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.