“Reforma në Drejtësi do të bëhet por kërkon kohën e vet dhe nuk mund të bëhet sa e hap e mbyll sytë”. Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur shqetësimit të një qytetari i cili e ka pyetur për paketën anti-KÇK dhe kërkoi që qeveria të marrë përsipër të zgjidhë problemet e qytetarëve me pensionet dhe sigurimet shoqërore, pasi siç tha ka shumë qytetarë që janë tallur dhe janë lodhur nga avokatët dhe gjyqtarët nëpër gjyqe. “Të gjitha gjyqet që kanë lidhje me pensionet të pezullohen të gjitha dhe të zgjidhet problemi këtu. Telendisja e njerëzve apo kthimi i njerëzve si lënde e parë për avokatët është e rëndë”, tha qytetari.
Ndërsa kryeministri tha se reforma në drejtësi është në rrugën e duhur por kërkon kohën e vet për të realizuar pastrimin e madh që është premtuar në radhët e gjyqësorit apo sistemit të drejtësisë në tërësi.
“Me KÇK-në kemi punë jo të lehtë, sepse çerek shekulli nuk mendoi njeri të bëhet reformë në drejtësi.
Tani reforma në drejtësi po bëhet, por do kohën e vet sepse gjithë ai pastrim i madh nuk bëhet dot sa hap e mbyll sytë e para, e dyta nuk jemi në komunizëm, jemi në demokraci.
Pavarësisht gjithë poshtërsive që bëjnë ata, ne nuk e kemi të drejtën të ndërhyjmë më forcë në punën e tyre. Është reforma, pastrimi, ndërtimi i institucioneve të reja, garantimi që ata që do të mbeten aty do të jenë njerëz me integritet që do të sjellë këto që kërkojmë ne, ndryshe nuk bëhet”,- nënvizoi Rama gjatë inspektimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore për shërbimet online.
Qeveria po përgatit paketën ligjore që pritet të quhet anti-KÇK për të goditur pasuritë e të gjithë atyre që në mënyrë të dyshimtë i kanë shpëtuar drejtësisë e kanë përfituar pasuri nga krimi.