6 milionë raste në SHBA. Europa ka rritje të infektimeve, por jo të vdekjeve

AKTUALITET


Shtetet e Bashkuara i tejkaluan 6 milionë rastet me koronavirus, ndërsa numri i viktimave është mbi 183 mijë. Disa shtete qendrore kanë raportuar rritje të numrit të infektimeve, e megjithatë në të gjithë Amerikën rastet ditore kanë shënuar ulje të konsiderueshme krahasuar me nivelet e korrikut.

Rritja e bilancit ka detyruar shkencën të përshpejtojë ritmet, me kreun e Agjencisë së Ilaçeve dhe Ushqimit që njoftoi se një vaksinë e ardhshme kundër virusit, mund të autorizohet për herë të parë mbi bazë të një procedure emergjente, para përfundimit të eksperimenteve klinike që duhet të provojnë efikasitetin e saj.

Ekspertja e shëndetësisë dhe pjesëtare e Task Forcës për koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë, Deborah Birx, tha se kishte shpresa te vaksina, por se, sipas saj, përhapja e pandemisë mund të frenohej që tani, përmes maskave, distancës sociale dhe shmangies së grumbullimeve. “Me grumbullime nuk nënkuptohen vetëm koncertet e mëdha, por edhe barbekytë në natyrë, me 25 persona të cilët nuk mbajnë maska”. 

India po shënon një rritje të shpejtë të infektimeve ditore, duke tejkaluar në këtë drejtim edhe SHBA dhe Brazilin, dy vendet më të prekura nga pandemia. Vendi me rreth 1,3 miliardë banorë regjistroi 78 mijë raste të reja, për një total prej 3,6 milionë infektimesh.

Kurba e infektimit vijon të ngjitet edhe në Europë, por megjithatë lajmi i mirë është se vdekshmëria dhe shtrimet në spital mbeten të ulëta. Franca regjistroi 5413 raste në 24 orët e fundit, ndërsa në Britaninë e Madhe u konfirmuan 1715 infektime të reja, rritja më e lartë që prej 4 qershorit. Sa i përket humbjeve të jetëve, pati vetëm një të tillë.

Italia raportoi për 1365 raste me Covid-19 të dielën, pas gati 82 mijë tamponëve të kryer. Viktimat në 24 orët e fundit ishin 4. 



Skip to toolbar