Rama: Zgjerimi i detit nuk bëhet pa marrëveshje, pres ministrin e Jashtëm në Shqipëri

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama, ka folur në një intervistë për kanalin televiziv grek MEGA mëngjesin e sotëm.

Rama e ka cilësuar deklaratën e kryeministrit grek Mitsotakis për shtyrjen e kufirit detar, të drejtë ndërkombëtare duke theksuar se vendet i zgjidhin këto çështje sipas kuadrit ligjor ndërkombëtar.

Kreu i qeverisë shqiptare është shprehur se ndryshe nga Italia dhe Egjipti, në rastin e Shqipërisë, Greqia duhet të bëjë marrëveshje për zgjerimin e vijës bregdetare.

“Ne nuk e mirëpritëm asnjë marrëveshje. Ne sapo kaluam një përvojë absurde tipike ballkanike dhe klasike të patriotizmit të rremë, i cili ndezi formën më ekstreme të zjarrit, pasi Kryeministri juaj iu drejtua parlamentit, gjatë diskutimit të marrëveshjeve detare me Italinë dhe Egjiptin. Kishte një diskutim në lidhje me të drejtën e vendit për të zgjatur ujërat territoriale në 12 milje, e cila bazohet në traktatin ndërkombëtar të Montegos. Çdo vend që ka dalje në det ka të drejtën dhe nuk është diçka për të cilën negocioni ose kërkoni nga të tjerët të zgjerojnë ujërat tuaja atje ku është e mundur.
Kur kjo nuk është e mundur, vendet duhet të vijnë në një marrëveshje, ndërsa çështja midis Greqisë dhe Shqipërisë është e veçantë, sepse të dy vendet nuk mund të vazhdojnë me zgjerimin e tyre në mënyrë të njëanshme, pa marrëveshjen ndërmjet tyre, sepse natyrisht një gjë e tillë nuk është e mundur. Ne jemi pranë njëri-tjetrit, nuk mund të bëjmë gjëra vetëm ose nuk mund të jetojmë pa e kuptuar dhe pa respektuar faktin që tjetri është pranë nesh. Ne duhet të arrijmë një marrëveshje dhe jam i bindur që do të gjejmë një zgjidhje”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, çështja mund të zgjidhet në një gjykatë ndërkombëtare dhe këtë ide e kishte ndarë edhe me homologun grek.

“Pas disa javësh unë do të pres Ministrin e Jashtëm në Shqipëri për të diskutuar këtë çështje dhe menjëherë më pas shpresoj të pres Kryeministrin grek. Ai vetë ka vizituar Shqipërinë përpara se të merrte post politik dhe është koha që ai të kthehet. Babai i tij ishte zyrtari i parë grek që vizitoi vendin edhe para rënies së regjimit. Ishte një vizitë shumë interesante dhe e rëndësishme”, ka deklaruar kryeministri Rama.

Sa i përket konfliktit turko-grek, Rama ka thënë se nuk e ka fshehur që Erdogan është miku i tij. “Jam krenar që e kam mik. Greqia dhe Turqia janë dy vende mjaft të afta të zgjidhin vetë çështjet e hapura. Mesa duket kanë pikëpamje kontradiktore, por është në interes dypalësh të përbashkët të zgjidhin konfliktete e të ndërtojnë sëbashku të ardhmen”.

Lidhur me minoritetin grek, Rama ka deklaruar se nuk është e vërtet që nuk lejohet vetëpërcaktimi i minoritarëve dhe se së shpejti do të ketë projektligj të ri për këtë çështje.



Skip to toolbar