A do shkarkohet Meta në 2020? Rakipllari: Mund të japë dorëheqjen

#NËRADAR


Përplasjet mes mazhorancës dhe kreut të shtetit Ilir Meta gjatë vitit 2019, çka sollën dhe ngritjen e një komisioni hetimor në Kuvend, me qëllim final shkarkimin e Presidentit ka qenë një tjetër temë diskutimi në Real Story në emisionin e fundit për këtë vit, ku gazetari Sokol Balla pyeti analistët e ftuar në studio, nëse Ilir Meta do të shkarkohet gjatë vitit 2020. Kësaj pyetje i është përgjigjur Robert Rakipllari, sipas të cilit Meta edhe mund të vetëlargohet nga zyra e presidencës.

“Për mua Ilir Meta nuk shkarkohet. Meta ka treguar se jep dorëheqjen në krahasim me kryeministrin e sotëm. Meta ka dhënë dorëheqjen kur ishte kryeministër apo zëvendëskryeministër. Unë nuk e shoh skenar të pamundur. Shkarkimi i tij është në një situatë të komplikuar”, tha Rakipllari. Ndërkohë, analisti Fatos Lubonja tha se pavarësia e presidentit nga kryeministri, provoi se është më mirë kur ekzistojnë dy forca se sa një.


“Meta provoi, si institucion i pavarur nga kryeministria, se kur ka dy forca është më mirë se sa një. Është më mirë se sa prirja për t’i pasur të gjithë rreshtuar pas një partie të vetme. A do jetë 2020 një pasurim në këtë drejtim? Unë them, po u shkarkua Meta është provë e qartë që kemi avancim”, tha Lubonja. Ndërkohë, analisti Skënder Minxhozi tha se presidenti është i shkarkueshëm. Megjithatë, sipas Manixhozit kriza humanitare e shkaktuar nga tërmeti, e ka lënë në plan të dytë politikën dhe viti 2020 do të karakterizohet nga zgjidhja e kësaj krize, që sipas tij është me shumë të panjohura.

“Meta ka disa pamje. Në 2019 ai tregoi se ka qenë në vendin e gabuar dhe ka bërë disa gjëra të gabuara. Unë mendoj e presidenti është i shkarkueshëm. Nëse politikë do e shohim si faktor pozitiv. Kriza e tërmetit për mua është edhe një e panjohur e madhe politike në 2020. Rama po mundohet të ndërtojë një histori suksesi. Kjo krizë e rëndë humanitare e ka nxjerrë krizën politike në vend të dytë”, tha Minxhozi. /Realstory.al/




Skip to toolbar