A do të arrestohet sot Donald Trump?

BOTA


Donald Trump ka njoftuar se sot do te arrestohet në New York i akuzuar për nje pagesë te jashtëligjshme prej 130 mijë dollarëve ndaj një aktoreje te filmave pornografikë, në mënyrë që ajo të mos publikonte marrëdhënien e tyre intime.

Në vitin 2016, aktorja e filmave pornografikë, Stormy Daniels, kontaktoi disa media duke iu ofruar shitjen e një historie sesi ajo pati një lidhje jashtëmartesore me Donald Trump në vitin 2006. Pasi Trump e mori vesh atë që ajo donte të bënte, avokati i tij, Michael Cohen, i dha asaj 130 mijë dollarë për të mos e bërë publike historinë.


Kjo nuk është diçka e paligjshme. Por, kur Trump rimbursoi Cohen për paratë, në faturë u shënua se ishin pagesa për shërbimet e tij ligjore si avokat. Prokurorët thonë se kjo është falsifikim i të dhënave të biznesit, një vepër penale në Nju-Jork.

Prokurorët mund edhe të akuzojnë ish-presidentin për shkelje të ligjeve zgjedhore, për shkak se ai u përpoq që votuesit e tij të mos merrnin vesh se kishte një lidhje jashtëmartesore.

Javën e kaluar, avokatët e Trump thanë se ish-presidentit i ishte dhënë mundësia që të dilte para jurisë, çka do të thotë se hetimi është drejt fundit. Por ata thanë se deklarata e Trump për një arrestim të mundshëm bazohej te raportimet e mediave dhe jo te ndonjë informacion i marrë paraprakisht nga prokurorët.

Avokatët e Trump kanë thënë se arrestimi do të ishte procedurë standarde nëse do të ngrihen zyrtarisht akuzat ndaj tij. Kjo do të thotë se ai duhet të largohet nga shtëpia e tij në Mar-a-Lago në Florida, për të dalë para gjykatës në Nju-Jork, ku do t’i merren gjurmët e gishtërinjve dhe do të realizohet edhe foto pas arrestimit.

Marrja si i pandehur, por edhe dënimi për një vepër penale, nuk do ta ndalonte Trumpin që të vijonte fushatën zgjedhore, nëse do të zgjidhte ta bënte këtë, siç edhe ka lënë të kuptohet.

Në SHBA, nuk ka asnjë ligj që ndalon një kandidat të shpallur fajtor për një vepër penale që të bëjë fushatë, e madje edhe që të shërbejë si president i vendit, edhe nga burgu.

Por arrestimi me siguri që do të ndërlikonte fushatën e tij. Përveç se mund të bënte që të humbiste vota edhe nga radha e republikanëve, do të ishte e vështirë që kandidati për president të menaxhonte fushatën, debatet dhe çështjen gjyqësore.




Skip to toolbar