Aksident në Divjakë-Çermë, humb jetën një person, plagoset rëndë një tjetër

AKTUALITET


Një person ka humbur jetën mëngjesin e kësaj të enjte (11 prill) dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë, si pasojë e një aksidenti në rrugën nacionale Divjakë-Çermë. Bëhet me dije se viktimë ka mbetur një 25-vjeçar i identifikuar si Gëzim Allpici, i cili po udhëtonte me motoçikletë në momentin që është përplasur nga një furgon. Për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë edhe drejtuesi i furgonit, 21-vjeçari i identifikuar si Ismail Osmani. Ky i fundit është dërguar në Spitalin e Traumës.

Policia në vendngjarje po dokumenton shkaqet e aksidentit i cili ka ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit në kushte errësire në rrugë. Furgoni ka dalë nga rruga pasi ka përplasur motoçikletën dhe ka shkulur edhe një shtyllë të tensionit të lartë dhe ka përfunduar shumë larg.


Një dëshmitar në vendngjarje deklaroi se mjetet ecin me shpejtësi të lartë. Aksi rrugor rrethrrotullimi i Çermës Divjakë është rikonstruktuar një vit më parë  dhe fluksi i mjeteve që e përshkojnë është i lartë.




Skip to toolbar