Aksidenti i frikshëm në Këlcyrë, 8 të vdekur

AKTUALITET


Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit në afërsi të fshatit Kuqar në Këlcyrë. Një aksident i frikshëm i mori jetën 8 personave.

Mendohet se makina ka qenë me një shpejtësi tejet të lartë, ka dalë nga rruga dhe ka “fluturuar” drejt lumit Vjosa gati 400-500 metra larg.


“Në fakt sipas informacioneve të grumbulluara në këto momente, bëhet me dije se shoferi kishte arritur të merrte në automjetin e tij 7 emigrantë dhe më pas ka pikasur patrullën e policisë, e cila qëndronte përgjatë segmentit rrugor Këlcyrë-Përmet. Ndoshta nga ana e policisë është bërë me shenjë që të ndalojë ose personi në fjalë nga frika që ka pasur duke qenë se kjo gjë është e jashtëligjshme ka tentuar që të shmanget duke rritur shpejtësinë dhe duke përfunduar goxha metra larg rrugës kryesore, afër lumit Vjosë”, raportoi gazetarja Dorina Muhaj nga vendi i ngjarjes.

Më tej ajo shtoi se “Është i dyshimtë fakti që përgjatë gjithë aksit rrugor që ndodhemi këtu nuk shohim që të ketë një vend nga mund të ketë dalë mjeti. Makina ka fluturuar gati 400-500 metra larg nga rruga kryesore”.

Zona është e gjitha e rrethuar për të bërë të mundur që ekspertët të zbardhin këtë ngjarje, të paktën të zbulojnë dinamikën se si ka përfunduar makina dhe çfarë shpejtësie mund të ketë pasur.

Ndërkohë rreth e rrotull zonës ku ndodhi aksidenti janë të shpërndarë trupat e pajetë.

“Në këto momente që po flasim trupat nuk kanë mundur që të nxirren apo lëvizen, duke qenë se është një pamje e tmerrshme ajo që po shohim në këto momente. Trupat janë gjithandej, rreth e rrotull automjetit, trupa të cilët është e vështirë që të identifikohen”, raportoi gazetarja.

Shtatë prej viktimave kanë qenë emigrantë që vinin nga vendet e Lindjes së Mesme dhe viktima e tetë, shoferi nga Shkodra. Ka dyshime që makina mund të ketë qenë e marrë me qira, por kjo pritet të vërtetohet nga hetimet e thelluara.




Skip to toolbar