“Aksidentohet” Izet Haxhiaj, avokati: Duan ta vrasin

AKTUALITET


Makina e policisë që transportonte Izet Haxhiajn nga burgu është aksidentuar dhe ai ka përfunduar me frakturë në kokë ndërsa është dërguar me urgjencë drejt spitalit. Por avokati i tij Idajet Beqiri thotë se aksidenti është i qëllimshëm për shkak të akuzave që Haxhiaj ka bërë ndaj ish kryeministrit Berisha, ndërsa shton se atë duan ta eleminojnë fizikisht.

“Izet Haxhia ndërpret menjëherë deklarimet kundër Sali Berishës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Jeta e tij dhe i njerëzve të afërt të tij rrezikohet në mënyrë dramatike. Tentohet eliminimi fizik i tij”, shprehet Beqiri.


Në një deklaratë për mediat Beqiri thote se pasi klienti i tij ka qëndruar për 25 orë tek Krimet e Rënda, makina që e shoqëronte ka bërë ‘aksident’, duke e përplasur. Avokati bën me dije se Haxhiaj, i cili akuzohet per vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari, ka patur të vjella dhe është çuar me urgjencë në Spital.

“Izet Haxhiaj, pasi ka deponuar plotë 4 ditë me radhë për 25 orë të qëndrimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë kundër krimeve të kryera nga Sali Berisha për periudhën 1991-1999, në datën 09.10.2019, kur është shoqëruar për të vazhduar deklarimit dhe për të paraqitur provat dhe faktet për çdo akuzë, makina që e shoqëronte ka bërë “aksident”, duke u përplasur. Izet Haxhiaj ka pësuar fraktura në kokë, ka patur të vjella dhe është çuar me urgjencë në Spital.

Për katër ditët që Izet Haxhia ka dhënë deklarimet e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas kallëzimit penal të bërë prej tij kundër Sali Berishës në muajin dhjetor 2018, bota e krimit është aktivizuar me një egërsi të paimagjinueshme, sidomos në rrjetet sociale, kundër Izet Haxhisë, njerëzve më të afërt të tij si dhe mbrojtësve ligjor të tij. Strukturat e shtetit, institucionet përkatëse ligjzbatuese, megjithëse i shohin këto reagime, shantazhime, kanosje serioze për vrasje etj, nuk i marrin në mbrojtje, për t’u siguruar jetën, së paku Izet Haxhisë, këtij dëshmitari okular që me prova dhe me fakte të pakontestueshme po denoncon krimet më të rënda që janë kryer prej ish presidentit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha në vitet 1991-1999, duke i sjell vendit dhe familjeve shqiptare plagë të rënda dhe tragjike. Në kushtet e mësipërme mbrojtësi ligjor i ka rekomanduar Izet Haxhiaj ndërprerjen e menjëhershme të deklarimeve të tij para Prokurorisë së Krimeve të Rënda kundër Sali Berishës, derisa të marrim garancitë e plota nga institucionet ligjzbatuese të shtetit shqiptar për jetën e tij dhe të njerëzve të afërt të tij”, shprehet avokati Idajet Beqiri.

Më herët Gjykata e Tiranës shprehu moskompetencë për të gjykuar Izet Haxhiajn dhe çështja i kaloi Krimeve të Rënda. Edhe krimet e Rënda shpallën moskompetencë për kërkesën e tij për rigjykim duke ia kaluar çështjen për interpretim në Gjykatën e Lartë./realstory.al




Skip to toolbar