Aksidentohet makina me targa ruse. Shoferi i dënuar për trafik droge përplaset me policinë

AKTUALITET


Një makinë luksoze me targa ruse është aksidentuar gjatë mbrëmjes së të mërkurës në Tiranë, ndërkohë që pronari i makinës Eldin Dergjini është përplasur me deklarata me policinë. Kjo për faktin se Dergjini, i dënuar më parë për trafik droge, nuk është gjetur në vendngjarjen e aksidentit nga policia, ndërsa bën të ditur se ka shkuar në spital me taksi. Deklarata këto që kanë ngritur dyshime nga policia.

Në një njoftim zyrtar policia bëri me dije se makina drejtohej nga E. D., 34 vjeç,  banues në Shkodër.


Ndërkaq identiteti i plotë i shkodranit është: Eldin Dergjini i cili ka deklaruar për policinë se dikush e ka goditur nga pas.

“Makina u rrotullua disa here, u përmbys. Unë munda të dal dhe përfundova në spital me një taksi të rastit që gjeta në rrugë”, është shprehur shkodrani.

Mirëpo kjo dëshmi e tij është jo bindëse për policinë e cila ende nuk ka mundur të identifikojë shoferin e taksisë që Dergjini pretendon se e ka shoqëruar në spital. Për me tepër, targat e mjetit që ai drejtonte, i përkasin një tjetër mjeti të blinduar në Rusi. Për këtë, 34-vjeçari ka deklaruar se mjetin e ka sjellë nga jashtë dhe ishte në pritje për dokumentet. Dergjini rezulton një person me precedentë penalë, i arrestuar më herët në Shqipëri për kundërshtim të policisë dhe trafik droge në Itali.

Rrethanat se si është goditur makina që ai drejtonte, apo autorët, nuk dihen ende por grupi hetimor është duke punuar për të zbardhur misterin.




Skip to toolbar