Akuza për trafik droge, Apeli i GJKKO konfirmon dënimin për ish-truprojën e Saimir Tahirit

AKTUALITET


Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 13 vite burg për ish-truprojën e Saimir Tahirit, Hekuran Marku.

Marku u arrestua në gusht të vitit 2021, me akuzën për trafik droge. Ai ishte pjesë e grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit, në kohën kur ishte në krye të Ministrisë së Brendshme, në vitet 2014, 2015 dhe 2016.

Në atë kohë, sipas SPAK, Marku bashkëpunoi me katër italianë dhe Eltjon Bregun, në trafikimin e rreth 1 ton kanabis drejt Italisë me kolegun e tij Agustin Deda.

VENDIMI
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Daniela Shirka (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), më datë 26.09.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 37 akti, datë 23.05.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri H.M., kundër vendimit nr. 67, datë 14.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit H.M. për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 283/a paragrafi i parë, 28 pika 4 të Kodit Penal dhe në bazë edhe të nenit 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 13(trembëdhjetë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit H.M. për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3(tre) vjet burgim.
3. Në bashkim të dënimeve sipas nenit 55 të Kodit Penal paragrafi i parë të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit H.M. me një dënim të vetëm prej 13(trembëdhjetë) vjet burgim.
4. Në bazë të nenit 406 pika 1 të K.Pr.Penale, të pandehurit H.M. i ulet një e treta e masës së dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht dënohet me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
5. Vuajtja e dënimit të të pandehurit i fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit arrest në burg dhe të kryet në një burg të sigurisë së lartë…”

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 67, datë 14.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.



Skip to toolbar