Kryeministri Edi Rama vlerësoi Vangjush Dakon për drejtimin e bashkisë së Durrësit për 12 vite, ndërsa sulmoi opozitën për akuzat që ka ngritur kundër tij. “Vangjush Dako e nisi rrugëtimin për të drejtuar bashkinë e Durrësit duke fituar me një grusht votash dhe më pas falë provave të prekshme që u dha qytetarëve duke fituar në mënyrë bindëse dhe më pas duke fituar në mënyrë triumfuese.
Ajo që sot duhet thënë shumë qartë që ta dëgjojnë të gjithë është se kush përpiqet sepse normalisht nuk ka asnjë rrugë tjetër se të shtojë baltën mbi Vangjushin dhe bashkinë nuk do që qytetarët që të kujtojnë diçka. Në Durrës Dako ka fituar kur në pushtet ishte Saliu me të gjithë skuadrën më të mirë që ka pasur PD-ja në historinë e saj dhe mekanizmat e saj që ju e dini si përdoreshin në kohën e tij.
Njeriu dhe partia që mundën Saliun me Sokol Olldashin që ka qenë përfaqësuesi politik këtu, me Topallin dhe të tjerë kur ishin në pushtet, u dashka të blejë vota për të mundur Lulin me Gridën dhe Salianjin. Të kesh mundur Sokol Olldashin një nga figurat më të spikatura, orator dhe njeri i njohur për forcën e larmishme në fushatat elektorale dhe të akuzohesh se ke blerë vota për të mundur Bylykbashin. Durrësi do ta kujtojë me respekt dhe admirim periudhën kur Dako drejtoi bashkinë, falë gjurmëve që janë kudo në këtë qytet”, tha Rama.
Në takimin elektoral që u zhvillua në Durrës, ishte i pranishëm edhe Elton Arbana, kandidat i PS-së për Bashkinë e Shijakut, i dalë në përgjimet që janë publikuar nga gazeta gjermane ‘Bild’, ku ai fliste me Astrit Avdylin. Arbana ka sulmuar PD, duke e cilësuar pisllëk. “Unë e dua Shijakun dhe dua të prekë të njëjtin transformim si qytetet e tjera të Shqipërisë. Jemi në një moment historik, rruga tjetër është injoranca, prapambetja dhe pisllëku. E vërteta nuk mund të manipulohet kurrsesi. Ju kërkoj të votoni në 30 Qershor”, tha ai mes të tjerash.