Albana Vokshi padit në KQZ Manastirliun

AKTUALITET


Drejtuesja politike e PD në Tiranë, Albana Vokshi, ka paditur në KQZ ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, me argumentin se po shkel Kodin Zgjedhor me zyrat elektorale.

Në një deklaratë për media, Vokshi publikoi foto e video, që sipas saj, janë fakte për shkeljen e ligjit elektoral nga ministrja Ogerta Manastirliu.


Si Manastirliu, edhe Vokshi, mbulojnë njësinë 9 në Tiranë, por kandidatja e PD tregoi se kundërshtarja e saj politike ka hapur të paktën 2 zyra elektorale shumë pranë objekteve të përcaktuar si qendra votimi.

Albana Vokshi ishte te shkolla “Jeronim de Rada”, ku sipas saj, pak hapa më tej Ogerta Manastirliu ka hapur një zyrë. Ajo sqaroi se Kodi zgjedhor e ndalon hapjen e zyrave elektorale deri në 300 metra nga qendrat e votimit.

Të njëjtën gjë, tha Vokshi, ministrja e Shëndetësisë ka bërë edhe tek Kopshti 3. “Pamjet tregojnë se zyra është në cep të kopshtit, ku janë disa qendra votimi të njësisë 9″, u shpreh ajo, duke shtuar se “Është një akt i paligjshëm që synon të intimidojë zgjedhësit ditën e votimit.

Kandidatja e PD ka një thirrje për KQZ. “I bëj thirrje KQZ që të mos bëhet palë me PS, por të verifikojë çdo shkelje të ligjit dhe të urdhërojë Policinë Bashkiakë t’i mbyllë këto zyra”, tha Albana Vokshi, e cila shtoi se edhe pas denoncimeve zyrtare të depozituar në KQZ, nuk ka akoma asnjë reagim nga KQZ.




Skip to toolbar