Albi Xhunga: Pothuajse reforma dhe pothuajse opozita

Më të fundit


Nga Albi Xhunga

Pas firmosjes së marrëveshjes për reformën zgjedhore mund të thuhet me siguri se nga këto negociata fitoi lidershipi opozitar. Nga çështjet që u negociuan më e zhurmshmja, ajo që dukej se kishte krijuar ngërç dhe që kishte arritur të ‘’çante’’ muret e rezidencës së zonjës Kim, ishte mundësia e depolitizimit të procesit me angazhimin e administratës publike. Vetë kryeministri, por edhe negociatori i maxhorancës e mbrojtën këtë në studio televizive. Madje ata lanë të kuptohet se PS-ja nuk do të lëvizte ky qëndrim edhe sikur kjo të shkaktonte dështimin e tryezës. Mirëpo për çudinë e të gjithëve u firmos një marrëveshje që nuk e përfshinte depolitizimin e komisionerëve dhe të numëruesve. Mbajtja e militantëve në komisione është një fitore e opozitës në negociatë, por është një fitore që lë shijen e regresit. Miratimi i identifikimit biometrik, hapja e kutive dhe prania e kamerave në qendrat e votimit janë padyshim hapa të rëndësishëm përpara drejt një procesi zgjedhor më cilësor. Por të shpresosh që këto ndryshime do të mjaftojnë për të siguruar zgjedhje me standarde dhe pa devijim të votës është më së paku naive.


Zgjidhja e një problemi fillon së pari nga identifikimi i tij. Vullneti i sovranit shtrembërohet shumë herë më tepër nga votimi klientelist sesa nga blerja e votës apo vjedhja eventuale e saj. Vota nuk vidhet më në kutitë e votimit por shtrembërohet nga presioni mbi administratën dhe nga vota klienteliste, kryesisht premtimi i vendeve të punës. Kjo opozitë do të shkojë në zgjedhje pa pasur asnjë pushtet. Maxhoranca ka sot të gjithë administratën shtetërore dhe të gjithë administratën lokale. Pra një masë njerëzish kompakte dhe e strukturuar do t’i drejtohet vitin tjetër qendrave të votimit. Të përpiqesh të balancosh këtë me ndryshimet që përmendëm më sipër është thjesht vetëvrasje politike. Këtu nuk po llogarisim mundësinë e një përçarje të opozitës deri në datën e zgjedhjeve. Parti si LSI e PDIU e kanë treguar qartë në të shkuarën se ndryshimin e flamurit nuk e kanë tabu. Për to do të ishte shumë më e volitshme t’i bashkangjiteshin një maxhorance me shumë resurse, sesa të luftojnë përkrah një PD-je që sot është më e çoroditur se kurrë.

Pothuajse reforma

Ajo që u firmos nuk është një reformë, është një pothuajse reformë.

Është e ligjshme frika e opozitës nga përfshirja në procesin zgjedhor e administratës shtetërore. Por kjo nuk mund dhe nuk duhet të zgjidhet duke mbajtur në komisione militantët partiakë. Nuk ka reformë që siguron zgjedhje të drejta nëse nuk depolitizohet administrata shtetërore dhe ajo lokale dhe nisma për këtë depolitizim nuk do të vijë kurrë nga pushteti, i cilësdo ngjyre qoftë ai. Shqiptarët meritojnë profesionistë në administratë dhe jo militantë partiakë shpesh të paaftë apo të korruptuar, ose edhe të paaftë edhe të korruptuar. Për të pasur një administratë profesioniste duhet bërë depolitizimi i saj dhe kjo bëhet me një pakt kombëtar mes të gjithë faktorëve politikë në vend ku nismëtare duhet të jetë opozita. Funksionari publik nuk duhet të ndihet i kërcënuar me vendin e punës sa herë ka zgjedhje. Duhet të marrë fund njëherë e mirë praktika e shëmtuar e zëvendësimit të administratës deri tek pastruesit sa herë ndërrohet pushteti. Politikës duhet t’i lihet në dorë vetëm ndryshimi i drejtimit të administratës deri në një nivel të caktuar kur ka rotacion. Kjo natyrisht nuk bëhet duke mbajtur administratën aktuale që me të drejtë është e paragjykuar. Duhet një pakt kombëtar i cili të përcaktojë një strategji të qartë e të qëndrueshme për të bërë pjesë të administratës ekspertët më të mirë. Kjo bëhet me konkurs për çdo vend pune, ku pjesë e këtij konkursi duhet të jetë edhe administrata aktuale. Nëse kjo bëhet me një pakt kombëtar ku merr pjesë çdo faktor politik në vend, nesër mund të kemi një administratë profesionale dhe të depolitizuar.

Pushtet vs moral

Kjo është beteja klasike në politikë. Maxhorancat kanë pushtetin dhe forcën që vjen prej tij, ndërsa opozitat kanë moralin dhe duhet të përfaqësojnë ndryshimin. Nuk ka rotacion pushteti pa mbështetjen e votuesit të pavendosur. Gardhi politik thjesht nuk mjafton. Opozita duhet të krijojë frymë për të motivuar elektoratin gri dhe për ta krijuar këtë frymë i duhet karta morale. Por që opozita ta kishte këtë kartë morale duhet të shkonte në tryezën e bisedimeve me kërkesa të qarta e të drejta. Së pari duhet të kërkonte transparencën e procesit të negociatave. Diskutimi i sistemit zgjedhor nuk është sekret shtetëror. Në një proces transparent opozita të bënte kërkesat e saj për zgjedhje të lira e të ndershme dhe nëse këto kërkesa të drejta rrefuzoheshin ajo mund të dilte ballëlartë përpara shqiptarëve. Por jo. Opozita kishte një dakortësi të heshtur me maxhorancën për të mos hapur listat. Një lidership që ka frikë nga listat e hapura ka frikë nga vota. Lista e hapur e fut luftën kundra blerjes së votës edhe brenda gardhit partiak. Një kandidat për deputet do të denonconte blerjen e votës edhe në kampin e tij, sepse me lista të hapura renditja varet nga numri i votave të secilit dhe ai do të dëmtohej direkt nga një garë e pandershme edhe kur kjo bëhet brenda partisë.

Zërat që kërkojnë hapjen e listave po shtohen çdo ditë. Mbi 50 mijë firma janë mbledhur për një referendum. Kush kërkon sot lista të hapura është në opozitë me maxhorancën aktuale, por nuk e ndien veten të përfaqësuar nga një opozitë e cila nuk e ka këtë pjesë të axhendës së saj. Fitorja e opozitës në zgjedhje bëhet e pashpresë nëse ajo nuk arrin mbledhë rreth saj çdo zë opozitar.

Një aksiomë e vjetër thotë se shanset që të mashtrohesh në një marrëveshje (pazar) janë shumë më të mëdha kur ti shkon në këtë këtë marrëveshje me synimin për t’ia hedhur palës tjetër. Opozita firmosi një pothuajse reformë, e cila lë pa zgjidhje shumicën e problemeve më të rëndësishme zgjedhore. Për opozitën dukej më e rëndësishme të ruante rolin e saj qendror në administrimin e sistemit sesa të kontribuonte në hapjen e tij.

Status quo-të u interesojnë maxhorancave. Opozitat kanë nevojë për ndryshimin. Kartat duhet të rishpërndahen që të gjithë t’i kenë shanset të barabarta. Kur një opozitë luan me të njëjtën strategji që luan edhe pushteti, humbja është e sigurt.

Kjo e bën atë një pothuajse opozitë, e cila përfaqëson interesat e ngushta të antarësisë së saj, por kurrsesi shumicën e shqiptarëve që ajo pretendon se përfaqëson.

Reformë në letër

Një marrëveshje nuk është një reformë. Që kjo marrëveshje të bëhet reformë ajo duhet të votohet në Kuvend. Maxhoranca nuk i ka votat, opozita jo e jo, ambasadorët kanë vetëm të drejtën e lozhës. Zoti Myslim Murrizi (një politikan race), denoncoi fort marrëveshjen, e cila nuk iu jep zgjidhje tre problemeve kryesore që janë edhe kushte të opozitës parlamentare, hapjen e listave, administratë e depolitizuar dhe votës së emigrantëve. Revolta e zotit Murrizi vë në pozitë të vështirë jo vetëm opozitën, por edhe treshen e ambasadorëve që drejtuan negociatat. Ky është njëri nga ato raste ku faktori ndërkombëtar vë stabilitetin në Shqipëri përpara demokracisë. Mundësia për të futur opozitën në sistem dhe stabiliteti që vjen nga kjo joshi ambasadorët. Edhe Brukselit i jepet një marrëveshje dhe me një gur vriten dy zogj. Por nëse të 39 deputetët e opozitës parlamentare i qëndrojnë deklaratës së zotit Murrizi dhe nuk i votojnë ndryshimet në Kuvend, kjo marrëveshje nuk vlen as sa çmimi i letrës në të cilën është shkruar. Ambasadorët janë gënjyer edhe nga qëndrimi naiv i zonjës Rudina Hajdarit, e cila mesa duket pa u konsultuar me kolegët e saj dhe me premtimin e ambasadores amerikane (sipas saj) se çështja e listave do të diskutohet më vonë dhe se për këtë ajo do të ketë mbështetjen e saj, firmosi marrëveshjen.  Mirëpo blloku i opozitës parlamentare i hedh në erë këto negociata dhe gjithçka nis nga pika zero.

Nëse opozita parlamentare ia del që pjesë e marrëveshjes të bëhen edhe tre kërkesat e saj, të fituarit janë shqiptarët. Ambasadorët duhet të bëjnë një mea culpa, nëse duan që ende të konsiderohen në këtë vend. Ndërsa për opozitën do të ishte poshtërimi publik i rradhës, plotësisht i merituar.




Skip to toolbar