Albi Xhunga: Pritshmëria ndaj lidershipit të ri opozitar

Më të fundit



Përafrimi i datës së zgjedhjeve për kreun e partisë në PD duket më shumë si një përpjekje e Lulëzim Bashës për të mos u lënë kohë kundërshtarëve të tij në parti të organizohen e të bashkohen. Nëse z. Basha nuk ka ndërmend të largohet, duke dhënë dorëheqje të parevokueshme, por do të rikandidojë, kjo lëvizje nuk mund të konsiderohet ndryshe, përveçse e lidhur me interesat direkte të tij për të rifituar legjitimitet në krye të partisë. 

Zgjedhjet në partinë më të madhe të opozitës nuk duhet të prodhojnë thjesht një kryetar të ri, qoftë ky edhe një emër i ndryshëm nga ai i Lulëzim Bashës. Ato duhet të prodhojnë një frymë të re në drejtimin e partisë, një frymë të re në opozitarizmin e viteve që do të vijnë, qëndrime të ndryshme në lidhje me çështjet më të rëndësishme të momentit. Rezultati humbës PD-së në zgjedhjet e 25 prillit nuk ishte megjithatë katastrofik po të krahasohet me zgjedhet e mëparshme të 2013 dhe 2017. Dy nga arësyet kryesore të humbjes më 25 prill ishin rënia e LSI-së dhe penalizimi i opozitës nga kodi i ri zgjedhor, i cili përjashtonte koalicionet. E megjithatë përgjegjësia e kryetarit Basha për humbjen është e dorës së parë, pasi dalja nga Parlamenti iu la fushën bosh socialistëve, çka bëri të mundur ndryshimet në kodin zgjedhor. Mirëpo ka edhe arësye të tjera se përse PD megjithëse arriti të ketë një rritje të konsiderueshme në krahasim më zgjedhjet e vitit 2017, nuk mundi të dalë jashtë gardhit të saj e të bindë elektoratin gri, pa mbështetjen e të cilit është e pamundur të fitosh ndaj një partie në pushtet. 


Marrëdhënia me faktorin ndërkombëtar dhe qëndrimi ndaj reformës në drejtësi

Në këto tre dekada pluralizëm asnjë parti politike nuk ka arritur të vijë në pushtet pa normalizuar më parë marrëdhëniet me faktorin perëndimor. Kjo marrëdhëne është e lidhur direkt me votuesin gri, i cili nuk voton një forcë politike që përplasjet me perëndimin i ka kthyer në sjellje normale politike, duke u përpjekur të krijojë një narracion shumë naiv, sipas të cilit problemi i saj nuk është Perëndimi, por disa ambasadorë që kanë axhendat dhe preferencat e tyre. 

Arësyeja kryesore e përplasjes së PD-së me faktorin ndërkombëtar në këto vitet e fundit është qëndrimi i saj ndaj reformës në drejtësi. Amerikanët dhe europianët janë investuar fuqishëm në reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, si e vetmja rrugë për të pastruar klasën politike kryesisht të korruptuar dhe për t’i dhënë vendit një funksionim normal, në respektim të institucioneve garante të balancës së pushteteve, ku vendimmarrësi ka frikë nga ligji. 

Lulëzim Basha u shpreh gjatë fushatës se PD-ja nuk do të prekte reformën në drejtësi nëse do të vinte në pushtet. Mirëpo një deklaratë fushate nuk mund të fshinte dhjetra qëndrime e konsiderata të mëparshme kundra reformës, duke e konsideruar atë të kapur e të dështuar. Këtu nuk e ndihmuan as qëndrimet e shkëlqesisë së tij, presidentit të republikës, i cili nuk e ka fshehur kurrë frikën ndaj reformës. 

Që PD-ja të mund të rifitojë besimin e faktorit ndërkombëtar, por edhe të asaj pjese të publikut të parreshtuar që mund të kthejë balancën elektorale në favor të saj, ajo duhet të mbështesë sinqerisht dhe hapur reformën në drejtësi. Propaganda anti-reformë, apo një qëndrim i pasinqertë ndaj saj e mban PD-në në një raport të ftohtë me faktorin ndërkombëtar dhe  të distancuar nga publiku i gjerë i parreshtuar. 

 At-vrasja politike dhe hapja e partisë

Me Sali Berishën në qoshe, PD-ja nuk mund të ketë një marrëdhënie normale me faktorin ndërkombëtar, nuk mund të ketë një qëndrim pozitiv ndaj reformës në drejtësi dhe as nuk mund të hapet ndaj të larguarve dhe faktorëve të rinj të jetës publike. Sali Berisha kushtëzon vijën politike të partisë në atë masë sa çdo përpjekje për reformim të saj pa u distancuar nga mëkatet e tij në të shkuarën do të ishte thjesht një make-up i pavlerë. Partia Demokratike ka nevojë të ketë qëndrime më të sinqerta ndaj mëkateve të së shkuarës. Lidershipi i ri jo vetëm që duhet të mos ketë ngarkesë negative që vjen nga krimet e djeshme të PD-së në pushtet, jo vetëm që duhet të distancohet hapur prej tyre, por do të duhet t’i dënojë me forcë ato. Mirëpo nuk mund të dënosh 21 janarin, Gërdecin etj, pa ‘’vrarë’’ më parë Sali Berishën dhe hijen e tij të rëndë në PD. 

Kjo në fakt është dhe sfida kryesore që ka ajo parti. Askush nga kundërshtarët e Lulëzim Bashës deri më sot nuk ka guxuar të dënojë mëkatet e Berishës. Kritika shkon deri te Basha, i cili e ka ruajtur më së miri rolin e rrufepritëses, por kjo nuk mjafton. Lidershipi i ri i Partisë Demokratike duhet të jetë jo vetëm i  çliruar nga mëkatet e së shkuarës, jo vetëm i papërfshirë në to, por duhet t’i dënojë ato me forcë. Kjo qasje do të prodhonte një frymë të re opozitare dhe afronte çdo zë opozitar në kampin demokrat. Çdo përpjekje tjetër do të ishte vetëm një tentativë e dështuar për të ringritur partinë e parë opozitare shqiptare.