Kurti anulon takimin me Thaçin: S’jam në Prishtinë

AKTUALITET


Albin Kurti nuk ndodhet në Prishtinë ndaj e ka të pamundur t’i përgjigjet ftesës së presidentit për t’u mandatuar zyrtarisht si kryeministër. Lëvizja Vetëvendosje ka shpërndarë një deklaratë zyrtare ku njofton se Albin Kurti ndodhet në një vizitë jashtë Prishtinës dhe e ka të pamundur të jetë në takimin me presidentin. Më tej në deklaratë theksohet se vetë Kurti do ta njoftojë presidentit në ditët në vijim për zhvillimin e një takimi mes tyre.

“Pak pas orës 11:00, në selinë e LVV, sot erdhi letra e Presidentit të Kosovës për një takim po ashtu sot në ora 13:30, me Kryetarin e LVV, Albin Kurti. Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takojë Presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”, thuhet në njoftim.


Më herët presidenti Thaçi i dërgoi një ftesë Kurtit për ta mandatuar për krijimin e Qeverisë. Ftesa i është dërguar liderit të Vetëvendosjes, si partia e parë fituese në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

Pasi Albin Kurti të marrë mandatin nga Presidenti, ai ka 15 ditë kohë për të krijuar Qeverinë e re të Kosovës.




Skip to toolbar