Opozita rrëzon Metën: Asnjë skenar djegie Kuvendi

AKTUALITET


Aleatët e Bashës e kanë cilësuar të pavërtetë deklaratën e bërë nga presidenti Meta të hënën në seancën dëgjimore në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij, se ka pasur skenar për të djegur kuvendin gjatë protestës së datës 8 qershor, kur ai njoftoi anulimin e datës së zgjedhjeve.

Aleatët e Lulzim Bashës përjashtojnë të ketë pasur një skenar dhune nga ana e opozitës, teksa e ftojnë kreun e shtetit të sqarojë më tej qëndrimin e tij.


 “Deklarata nuk qëndron! Kreu i shtetit ka informacionet e veta, por kjo duhet t’i ishte dhënë edhe kryeministrit e institucioneve të tjera. Opozita s’ka ndërmend të djegë Parlamentin, dhe në 10 protesta kombëtare nuk u plagos njeri. Ideja për të krijuar se ka pasur dhunë, është vetëm ide e Ramës. Ne si opozitarë s’kemi pasur pretendim për dhunë e për të djegur Parlamentin. Po ka pasur informacione që ka pasur dhunë nga Rama, ta sqarojë, por e la pa sqaruar se nga do vinte dhuna”, është shprehur Dashamir Shehi.

Ai gjithashtu ka kritikuar presidentin për paraqitjen e tij në Komisionin Hetimor, duke cilësuar këtë komision të paligjshëm.

“Presidenti ka shkuar përpara një Komisioni të Paligjshëm e pamoralshëm dhe pa qenë i detyrueshëm. Unë besoj që zgjedhjet janë shtyrë për të gjetur kohë dhe s’e besoj që brenda Shqipërisë ka pasur ide për të djegur Parlamentin. Shqipëria ka pasur edhe periudha më të vështira, por nuk është djegur ndonjëherë Parlamenti”, është shprehur Shehi.

Edhe Partia Demokratike, përmes numrit dy të saj Gazment Bardhit, mohoi të kishte një plan për djegien e Parlamentit në protestën e 8 Qershorit duke rrëzuar në këtë mënyrë deklaratën e Metës në Komision që ishte dhe argumenti më i fortë për mbrojtjen e tij.




Skip to toolbar