Aleatët, presion Bashës për protesta me molotov (po SHBA?)

AKTUALITET


“Do të ketë protesta të fuqishme”. Kështu u shpreh Basha të mërkurën pas takimit me Monika Kryemadhin në selinë blu. Por mesa duket më shumë se Basha protesta të dhunshme dhe agresive po kërkojnë aleatët e tij. Një ditë më herët Dashamir Shehi u shpreh se protestat e opozitës duhet të jenë më agresive, ndërsa Nard Ndoka thotë se në protestë “nuk shkohet me lule”, por me molotov.

Siç duket aleatët po i bëjnë presion kreut të PD-së të nisë sezonin e protestave të cilin e kishte premtuar se nuk do të pushonte as gjatë muajve të verës, por e kundërta ndodhi. Gjatë muajve të verës aksioni opozitar u ndërpre, sepse PD mbeti pa asnjë pushtet edhe në bashkitë e djathta. Ndërkohë Basha premtoi se protestat do të rinisin në shtator, por ndërsa ndodhemi në javën e parë të shtatorit ende nuk ka një njoftim për këtë aksion opozitar, ndërkohë që presioni i aleatëve të PD-së është në rritje.


“Opozita i ka plotësuar angazhimet e veta. Opozita duhet të ketë një qasje tjetër ndaj protestave, një tjetër stil më të ashpër, pasi kryeministri e ka rritur arrogancën e tij. Aksioni do të jetë frontal, mjaft i ashpër në përballje me shumicën, Ramën, protesta në çdo qytet dhe kombëtare. Do të pengojmë kryeministrin në arrogancën e tij që të largohet edhe me pahir.

Askush nuk e do dhunën, edhe ne që i organizojmë nuk e duam dhunën. Protesta e dhunshme janë kur tenton të marrësh pushtetin me dhunë, jo molotovi, pasi në protestë nuk shkohet me lule. Është tjetër kur qytetarët shfryjnë dufin e tyre dhe tjetër kur tentojnë të marrin pushtetin me dhunë”, shprehet Ndoka.

Mirëpo kreu i PDK-së, Ndoka, harron se protestat me molotov të para 30 qershorit sollën reagimin e ashpër të SHBA-së. Palmer u shpreh se SHBA po mban shënim dhe nëse vazhdon dhuna në protesta drejtuesit e tyre do të futen në listën e zezë të SHBA-së dhe do të ndërpritet çdo marrëdhënie me ta. Pikërisht kjo deklaratë e Palmerit bëri që Basha dhe Kryemadhi të ndërrojnë molotovët në protestë me tullumbace blu. Pavarësisht presionit të aleatëve nuk mendohet që Basha do të marrë guximin t’i kundërvihet SHBA-së dhe të kthehet sërish te molotovi./realstory.al




Skip to toolbar