Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu gjatë raportimit të tij në komisionin për dezinformimin tha se Shqipëria kërcënohet nga lajmet e rreme ruse dhe iraniane.
“Ky manipulim informacioni nga shtete të huaja që përfshinë dezinformimin dhe propagandën, është kërcënim ndërkombëtar i sigurisë që mund të krijojë përçarje brenda dhe midis vendeve, të rrezikojë integritetin e zgjedhjeve dhe të minojë besimin e publikut ndaj qeverisë”, tha Vengu.
“Vendi ynë është në shënjestër të dezinformimit dhe propagandës keqdashëse. Sjell në vëmendje këtu një shembull tjetër, në momentin kur në prill 2024, Ministria e Mbrojtjes themeloi qendrën e novacionit të sigurisë dhe mbrojtjes, e pamë që në mënyrë zyrtare dhe qoftë përmes kanaleve mediatike u ringjall narrativa ruse madje përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, ku ajo tha se ku investim i NATO-s po etiketohet qëllimisht si një burim për kërcënime hibride në Ballkan dhe praktikisht akuzonte Shqipërinë që kishte një strategji ofensive për kërcënime hibride në Ballkan”.
Duke sjellë shembuj konkretë të ndërhyrjes së shteteve të huaja në Shqipëri, Vengu tha se strategjitë që do të përdoren kundër tyre janë ato injoruese dhe diskredituese. “Po ashtu, në muajin janar të vitit 2020, udhëheqësi i Iranit, Ajatollah Khomeini, iu referua Shqipërisë si një vend i vogël dhe djallëzor europian, një element i Amerikës me disa iranianë mercenarë që kanë shitur atdheun e tyre”, tha Vengu.
“Pavarësisht arsyet dhe tempistikës së këtyre deklaratave, është e vërtetë që shpeshherë nga këto vende, Rusia dhe Irani, jemi vënë në shënjestër dhe këto deklarata, që fillojnë fillimisht në mënyrë zyrtare. Ka shumë shtete që kanë vendosur të injorojnë përpjekjen e palëve të treta për të dezinformuar. Ta injorojnë duke mbështetur kryesisht të drejtën e fjalës së lirë. Por tashmë jemi në kushtet ku kërkohet ndërhyrja e inteligjencës artificiale për filtrimin dhe diskreditimin të elementëve dizinformues. Në gjykimin tonë si Ministri e Mbrojtjes ne duhet të përpiqemi të bëjmë një kombinim të të dyjave”