Ambasadori britanik: Javët e ardhshme valë e re sanksionesh! Emrat publikë

Më të fundit


Britania do të ndërmarrë sanksione të reja në javët e ardhshme pas shpalljes “Non Grata” të ish-Kryeministrit Sali Berisha. Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, në një intervistë për emisionin “Real Story” në ‘Report TV’, e paralajmëroi këtë aksion diplomatik.

“Kur bëhet fjalë për sanksione dhe veprime që duhen marrë për ata që ne gjykojmë se janë përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion, sërish ne ndjekim një qasje të balancuar. Kjo nuk shënjestron asnjë individ, sikurse e përcaktoi qartë Lord Peach, kur njoftoi atëherë valën e parë të sanksioneve, në korrik të vitit të shkuar, ata ishin kundër një sërë individësh.  Sikurse e dini, kur bëhet fjalë për kufizime të hyrjes ne MB, si në këtë rast, ne nuk i deklarojmë emrat, pra jo gjithkush e ka bërë publike përfshirjen e tyre në këtë valë sanksionesh. Por, sikurse edhe e thashë më parë, do të ketë valë të tjera sanksionesh kundër atyre të përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion”, tha Alastair King-Smith.

Për diplomatin britanik, qëllim i sanksioneve nuk janë individët, por llogaridhënia.

“Askush nuk qëndron mbi ligjin. Duhet të zbatohet për të gjithë në mënyrë të balancuar, jo e përqendruar vetëm te një parti politike apo grup. Këto janë vendime që janë ndërmarrë nga Ministri i Punëve të Jashtme, nga Ministri i Punëve të Brendshme, pra në krye të Qeverisë, bazuar në informacionet dhe provat që ne kemi. Çështja këtu është se kjo mund të zbatohet për të gjitha grupet politike, mund të zbatohet për biznesmenët, për kriminelët dhe individë të tjerë, dhe nuk përqendrohet te një grup individësh ose partish politike”, tha Alastair King-Smith.

Ambasadori britanik tha se ekziston mundësia që të jenë sanksione publike, pra jo vetëm ndalime të hyrjes në Britani, ku emrat nuk bëhen publikë. Ai shtoi se nëse bëhet nën kategorinë e Sanksioneve Botërore Kundër Korrupsionit, këto emra do të bëhen publikë dhe gjithashtu do të ketë një ndalim udhëtimi, ndalim për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar dhe konfiskim mbi çdo aset që kanë në Mbretërinë e Bashkuar.

Në lidhje me zgjedhjet lokale të 14 majit, diplomati britanik tha se procesi u administrua mirë ndërkohë që duhet të priten rezultatet e raportit përfundimtar të ODHIR-it. 



Skip to toolbar