Ambasadori i ri amerikan për Shqipërinë, “ngec” në Senat

AKTUALITET


Senati i ka kthyer presidentit Joe Biden, kandidaturën e David J. Kostelancik, për ambasador të SHBA-së në Shqipëri.

Siç thuhet në njoftim, kandidatura i është kthyer shefit të Shtëpisë së Bardhë, sipas një procedure që parashikon që kandidatura të riparaqitet nga Presidenti Biden, për shkak të tejkalimeve të afateve kohore.


Kostelancik pritet që të zëvendësojë në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, të cilës i ka përfunduar mandati prej disa muajsh tashmë.

Emërimi në janar, 2023

David J. Kostelancik, doli përpara Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin amerikan në mars të vitit të shkuar, ku foli për prioritetet e tij gjatë misionit që pritet t’ i besohet.

“Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare. Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi aso kohe Kostelancik.

Një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, sipas diplomatit të karrierë, do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtje.

Rikthimi në Shqipëri

Kostelancik ka shërbyer edhe më herët në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike. Ai ka punuar edhe si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.

David J. Kostelancik ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatmit të Ligjit.

Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë si dhe në misionet e SHBA në OSBE dhe NATO.

I lindur në Ilinois, Kostelancik është diplomuar në Universitetin NorthWestern të këtij shteti. Ai ka dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës dhe Universiteti i Miçiganit.




Skip to toolbar