Ambasadori shqiptar: Mos ejani në Kinë, ka shumë rrezik

AKTUALITET


Të paktën 40 persona kanë vdekur nga koronavirusi në Kinë dhe mijëra të tjerë janë infektuar, dy qytete janë vënë në karantinë me mbi 20 milionë njerëz, ndërsa pamjet e medieve botërore shfaqin njerëz që bien të vdekur në rrugë, të ngjashme me një film me zombi. Kështu paraqitet situata në Kinë pas shpërthimit të virusit vdekjeprurës, ndërsa ambasadori shqiptar në Kinë Selim Belortaja ka publikuar një foto të tijën me maskë në fytyrë dhe përmes një mesazhi u bën thirrje shqiptarëve që nëse kanë planifikuar udhëtime për në Kinë në këto kohë të vështira t’i shtyjnë pasi ka shumë rrezik për jetën.

“Të dashur miq e bashkëkombas kudo ku jeni. Siç e dini Kina po kalon një situatë dramatike. Koronavirusi jo vetëm po merr jetë njerëzish por për shkak të potencialit të një rreziku në përmasa që mund të imagjinohen, po shtrëngon autoritetet të zbatojnë masa super të rrepta për frenimin e epidemisë, si mbyllje e transportit, superkontroll i lëvizjes së njerëzve, anulim i festimeve e grumbullimeve, si dhe disa shërbimeve publike në disa qytete, tashmë edhe përtej provincës Hubei dhe kryeqendrës Wuhan ku virusi shpërtheu dhe beteja është përqendruar.


Numri faktik i vdekjeve nuk e shfaq mirë potencialin e rrezikut që është pranuar edhe nga OBSh dhe që potencialisht mund të agravojë në ditët në vijim. Autoritetet dhe mjekësia këtu po punojnë heroikisht. Këshilloj fort që, derisa situata të merret plotësisht nën kontroll, udhëtimet dhe kontaktet fizike me Kinën t’i shtyni për më vonë! Ju lutem informohuni sa më mirë e binduni vetë para se t’i hyni një situate me shumë rrezik nga virusi por edhe të papritur për shkak të kontrolleve të pazakonshme”, shkruan ai në faqen e tij në Facebook.

Ndërkohë që në Shqipëri, ministria e Shëndetësisë njoftoi marrjen e masave paraprake duke vendosur në zbatim planet e emergjencës dhe kontrollin e kinezëve që vijnë në vendin tonë, por theksoi se nuk ka rrezik.




Skip to toolbar