Amerikanët që vizituan Shqipërinë/ Antony Blinken, Sekretari i gjashtë i Shtetit në Tiranë

Më të fundit


Në 33 vjet demokraci, Shqipëria ka pritur një President Amerikan dhe 5 Sekretarë Shtetit. Për të gjitha vizitat, ka pasur nga një arsye specifike. I pari zyrtar kaq i lartë i SHBA-ve, që preku tokën tonë ishte James Baker në vitin 1991.

Vendi po përjetonte muajt e parë të demokracisë dhe populli shqiptar i dha Sekretarit një mesazh të fortë të ndarjes përfundimtare nga komunizmi, duke e pritur Baker me një miting të jashtëzakonshëm ku u shfaq qasja pro amerikane, e cila, nga ajo kohë, nuk u lëkund më kurrë.


Në vitin 2000, Madaleine Albright erdhi në Shqipëri, pak pas Luftës së Kosovës, ku Amerika kishte treguar një dashuri të madhe për kombin, e ku Shqipëria kish bërë shumë për të ndihmuar vëllezërit e dëbuar nga Kosova. Cerek shekulli më parë, Amerika e kishte të qartë se cfarë aleance strategjike donte të ndërtonte me vendin tonë.

Në atë vizitë, Albright shpalli vizionin e Amerikës për ta parë Shqipërinë udhëheqëse drejt së ardhmes së ndritshme të Evropës Juglindore.

Më tej, Fatos Nano priti në vitin 2003 Sekretarin e Shtetit Colin Powell. Ardhja e tij u shoqërua me firmosjen e Kartës së Adriatikut, ku Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia hynë në paradhomën e NATO-s.

Janë të freskëta në memorien publike pamjet e vitit 2012, kur në Parlamentin e Shqipërisë mbajti një fjalë Sekretarja tjetër e Shtetit, Hillary Clinton. Vendi ynë kish pranuar të strehonte me kërkesë të Amerikës, muxhahedinët iranianë, ndërsa vetë SHBA-të e kishin të qartë se cfarë prisnin tjetër nga Shqipëria: luftë me krimin dhe korrupsionin.

I fundit sekretar shtetit u prit nga Edi Rama në vitin 2016. Jonhn Kerry rikonfirmoi se Uashingtoni e donte Ballkanin Perëndimor jashtë influencave të tjera, dhe vizita e tij përkoi edhe me strehimin e 2500 opozitarëve të tjerë të iranit, që u pranuan në Manzë, për të shpëtuar nga Teherani zyrtar.

Antony Blinken është i 6-ti Sekretar Shtetit në Tiranë. Por Shqipëria ka pritur edhe një President Amerikan. 10 qershori i vitit 2007 ngelet një ditë historike e marrëdhënies mes dy vendeve, kur Xhoxh Bushit ju rezervua një mikpritje e madhe shtetërore e popullore.

Pak pas kësaj vizite, Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe më vonë, vendit ju liberalizuan vizat në zonën Shengen. Amerikani i fundit i rëndësishëm në Shqiperi, ishte ish-Presidenti Bill Klinton, verën e shkuar. Vizita e tij ishte private dhe jo shtetërore, por figura e tij vazhdon të ketë po të njëjtin ndikim mes shqiptarëve, pikërisht për rolin e tij të drejtpërdrejt në luftën e Kosovës.




Skip to toolbar