Andrew Tate arrestohet në Rumani pas fletarrestimit britanik

BOTA


Figura kontroverse Andrew Tate është arrestuar në Rumani dhe ndaj tij është lëshuar fletarrestim nga Britania e Madhe, njoftoi të martën zëdhënësja e tij, Mateea Petrescu.

Tate, 37 vjeç, dhe vëllai i tij Tristan Tate, u arrestuan të hënën mbrëma nën akuzat për agresion seksual, në një rast në Britani të Madhe nga vitet 2012-2015, tha Petrescu.


Ajo tha se Gjykata e Apelit në Bukuresht do të marrë “vendim të rëndësishëm” të martën se a ta zbatojë apo jo fletarrestimin e lëshuar nga Britania e Madhe.

Katër gra e raportuan influencerin Tate te autoritetet britanike, duke e akuzuar për dhunë seksuale dhe fizike, por prokuroria britanike vendosi të mos ngrejë aktakuzë ndaj tij. Viktimat e dyshuara vendosën pastaj të mbledhin të holla për t’i mbuluar shpenzimet ligjore për të ngritur padi civile kundër Tate.

“Ne i dorëzuam provat tona për veprime e tmerrshme të dhunës që e përjetuam dhe pritëm për veprime. Por, katër vjet më vonë, na thanë se autoritetet britanike nuk do ta përndjekin atë”, thanë ato. “Kjo është rruga jonë e vetme për ta mbajtur atë përgjegjës”.

Tate akuzohet në një rast tjetër në Romani për përdhunim, trafikim me njerëz dhe për krijimin e një grupi kriminal për t’i shfrytëzuar seksualisht gratë.

Ai ishte arrestuar në Bukuresht në dhjetor 2022 bashkë me vëllain dhe dy gra rumune. Prokuroria rumune ngriti aktakuzë ndaj tyre verën e kaluar. Ata i mohojnë akuzat.

Andrew Tate, i cili i ka 8.7 milionë ndjekës në rrjetin social në X, ka pretenduar vazhdimisht se prokurorët rumunë nuk kanë prova kundër tij dhe se ka një konspiracion politik për ta heshtur atë.

Ai ka qenë i pezulluar nga rrjete të ndryshme sociale në të kaluarën, për shkak të shprehjes së qëndrimeve mizogjene dhe për shkak të gjuhës së urrejtjes.

Pas arrestimit në Rumani, vëllezërit Tate u mbajtën për tre muaj në paraburgim, para se të zhvendoseshin në arrest shtëpiak. Ata u liruan më vonë por e kanë të kufizuar lëvizjen vetëm brenda komunës së Bukureshtit dhe kontit të afërt Ilafov.




Skip to toolbar