Anton Martini para vettingut: Kam marrë shumë kërcënime

AKTUALITET


Prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini, njëkohësisht kandidat për SPAK ka dalë të martën para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku ka deklaruar se ka marrë shumë kërcënime për shkak të detyrës së tij.

“Jam transferuar në Shkodër me një vendim të paligjshëm. Nga gjithë puna ime kam vetëm një shtëpi dhe një garazh, që ende se kam marrë me letra. E kam marrë shtëpinë me dy kredi, pasi nuk doja te bëhesha i pasur por të blija një shtëpi në një zonë që ishte në influencën e policisë. Unë jam një prokuror që kam marrë shume kërcënime dhe sot e kësaj dite jam në ruajtje nga policia. Ju kam dorëzuar vendimet e ruajtjes. Me qira kam qëndruar pranë komisariatit nr.2 në Tiranë, vetëm për faktin që të kem garanci për sigurinë dhe familjen time”, është shprehur Martini para KPK-së.

Procesi i vetingut për Anton Martinin është marrë përsipër nga trupa gjyqësore e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja. Prokurori Anton Martini është renditur i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Në përfundim të kësaj seance prokurori Martini ka kërkuar konfirmimin në detyrë pasi sipas pretendimeve të tij nuk ka bërë asnjë shkelje. KPK vendimin përfundimtar do ta vendosë në datën 12 dhjetor.

Mësohet se KPK ka marrë një raport pozitiv nga ILDKPI në lidhje me deklaratat e pasurisë së prokurorit ku thuhet se ai nuk ka probleme me pasurinë dhe as konflikt interesi.

Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004. Në vitin 2015, Martini u transferua në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës, vendim të cilin ai e kontestoi për parregullsi. Në qershor 2018, Martini u rikthye në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.



Skip to toolbar