Apeli rrëzon vendimin e Gjykatës së Lezhës për pezullimin nga detyra të 11 punonjësve të Kadastrës

AKTUALITET


Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë të marrë më 30 Janar, e cila vendosi masën e sigurisë “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për 11 punonjës të Kadastrës së Lezhës. Ata akuzoheshin për moszbatimin e një vendimi gjyqësor për të kthyer në tokë shtet 234 mijë metra katrorë të tjetërsuar në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin. Albana Gjinaj, Marinela Tuci, Orstela Bardhaj, Sebastjano Gjetja, Besjon Ivanaj, Ornela Marku, Eglantin Lleshaj, Dorina Sulaj, Xhentil Gjegji, Vitore Lleshi dhe Diljana Prenga akuzoheshin për kryerjen e veprës penale “Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”.

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit që kryesohej nga Fuat Vjerdha, ata mund të rikthehen në detyrën që kanë patur. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, më datë 19.09.2023, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”, të parashikuar nga neni 320/a të K.Penal, mbi bazën e kallëzimit penal të paraqitur nga shtetasi A. Ç, banor i fshatit Shëngjin, Bashkia Lezhë. Drejtori i ASHK Lezhë ngriti një grup pune të përbërë nga njëmbëdhjetë punonjës, për mënyrën e ekzekutimit dhe kthimin e përgjigjes për ekzekutimin. Ata pasi kanë vlerësuar rastin, kanë përpiluar relacionin, sipas të cilit duhej të kerkohej nga gjykata dhe prokuroria, që të bënin sqarimin dhe interpretimin e vendimit, lidhur me pasuritë konkrete dhe veprimet që duhej të kryheshin me pronësinë mbi pasuritë përkatëse. Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit Tiranë e ka cilësuar vendimin e Gjykatës së Lezhës të padrejtë duke kërkuar që të zbatoheshin pikërisht kërkesat që vetë punonjësit kishin kërkuar prej vendimit të gjykatës./abcnews.al





Skip to toolbar