“Arben Kraja hetues i komunizmit”, PD vë në pikëpyetje integritetin e SPAK

AKTUALITET


Duke iu referuar medias sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha se kreu i SPAK, prokurori Arben Kraja ka qenë hetues i kohës së komunizmit dhe kjo sipas tij vë në pikëpyetje integritetin e Strukturës së Posaçme të Hetimit. Bardhi shkon më tej dhe e cilëson kreun e SPAK , ushtar të diktaturës dhe thotë se ai ka punuar në kryeministri për qeverinë socialiste.

“Partia Demokratike ka bindjen se një ushtar i diktaturës më të egër në Europë, që dënon qytetarët me motivacionin “për dëmtim të moralit komunist”nuk mund të jetë shërbëtor i shtetit të së drejtës. Përveçse një hetues i diktaturës, drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, është propozuar nga PS si zëvendëskryetar i KLSH dhe ka punuar në Kryeministri për qeverinë e PS”, deklaroi Bardhi.


 Sërish duke iu referuar medias online, Bardhi ka publikuar një foto ku duken anëtarë të SPAK që janë ulur në një tryezë me kreun e Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja. Sipas Bardhit ky takim vendos në pikëpyetje pavarësinë e SPAK.

“Fakti i dytë i rëndë, edhe ky i bërë publik nga media online, është takimi një ditë para votimit, i Prokurorit Altin Dumani me përfaqësuesin e Partisë Socialiste, Ulsi Manja. Altin Dumani ishte një nga kandidatët kryesorë për drejtimin e SPAK dhe ky takim, siç analizon me të drejtë media, për të marrë në KLP votat e kontrolluara nga njëri prej klaneve në Partinë Socialiste, vendos në pikëpyetje profesionalizmin, pavarësinë dhe paanshmërinë e tij. Minimalisht prokurori Dumani ka detyrimin t’i sqarojë opinionin publik motivin e takimit me Ulsi Manjën, një ditë përpara votimit në KLP”, tha Bardhi.

Në emër të PD-së, Bardhi i kërkoi SHBA dhe BE, që t’i përmbahen garancisë që i kanë dhënë popullit shqiptar për të siguruar pavarësinë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsionit dhe Krimit të Organizuar. “Çdo e dhënë që ul besimin e publikut tek SPAK nuk ndihmon në forcimin e integritetit dhe paanshmërisë së kësaj strukture. Ruajtja e besimit të publikut është jetike për të garantuar suksesin e SPAK dhe për të bërë realitet pritshmërinë e publikut për të luftuar pandëshkueshmërinë në rradhët e zyrtarëve të lartë.

 Në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe eleminimit të çdo dyshimi për integritetin e SPAK, prokurorët, për të cilët publikisht është vënë në  dyshim integriteti, pavarësia dhe paanshëria, duhet menjëherë të sqarojnë pozicionin e tyre dhe vlerësojnë seriozisht mundësinë për të hequr dorë nga përbërja e SPAK.

 Drejtësia e re nuk mund të bëhet as me hetues të kohës së komunizmit dhe as me shërbëtor të rinj politik të partisë në pushtet”, tha sekretari i përgjithshëm i PD-së.




Skip to toolbar