Aksidentoi për vdekje 7-vjeçaren në Himarë, gjykata e Vlorës vendos masën e sigurisë për Arjan Tasen

AKTUALITET


Ish-polici Arjan Tase që aksidentoi për vdekje 7-vjeçaren në Himarë është paraqitur sot në ambientet e gjykatës në Vlorë.

Mësohet se ndaj tij u vendos masa “arrest në burg”.


Ndërkohë seanca u  drejtua nga gjyqtarja, Viola Canaj ndërsa prokurore e çështjes ishte Eranda Visoci dhe avokat mbrojtës, Aleks Prifti.

Ish-shefi i Komisariatit të Himarës, Tase u arrestuar 3 ditë më parë pas ngjarjes tragjike të ndodhur në plazhin e Potamit ku një 7-vjeçare u përplas për vdekje në breg të detit nga skafi i fuqishëm që drejtohej prej tij.

Një ditë më parë Prokuroria e Vlorës rrëzoi të gjithë hetimin e bërë nga Agjencia për Mbikëqyrjen Policore për Arjan Tasen, për të cilin ngriti akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Akuza e qytetit bregdetar ka dërguar dosjen në gjykatë dhe mbi Tasen ka ngritur akuzën e vrasjes me dashje.

Neni 76 i kodit penal parashikon që kjo vepër penale të dënohet me burg nga 10 deri në 20 vite.

Vajza 7-vjeçare e familjes Avdia humbi jetën mesditën e 2 gushtit në Himarë, teksa pushonte me familjen e saj.

E mitura u përplas për vdekje teksa ishte në breg, nga mjeti i fuqishëm motorik që drejtohej nga ish-shefi i komisariatit të Himarës, Arjan Tase.




Skip to toolbar