Arjan Vasjari e pyet për arsyen e rikthimit në PD, Mark Marku i kujton deklaratën e tij të bujshme!

AKTUALITET



Analisti Arjan Vasjari komentoi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, rikthimin e Mark Markut në Partinë Demokratike, i cili është caktuar edhe drejtues politik në Qarkun e Lezhës.

Vasjari tha se nuk do ta quajë rikthim të Markut, por rinisje të tij në PD, ndërsa ngriti pyetjen, që sipas tij, është thelbësore, se kush ka ndryshuar, Marku apo PD.


Në përgjigje të tij, Marku deklaroi se ai nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë kurrë, por është PD që ka ndryshuar dhe që duhet të ndryshojë edhe në vijim.

Arjan Vasjari: Nuk e konsideroj rikthim të Mark Markut në PD, por një rinisje. Sjelljet publike të Markut, idetë, qëndrimet, kanë qenë qëndrime në atë habitat, nuk ka pasur një zhvendosje, dhe për këtë është një rinisje, jo rikthim. Nuk jam kundër dhe me rikthim, mjafton të mos kenë brenda njolla të së shkuarës, konflikt interesi. Nuk besoj që ky është rasti i Marku, madje ai kur iku, them se i mbolli arsyet e ikjes së tij. Që të rinisësh një histori në një familje politike, patjetër duhet të ketë ndodhur diçka, duhet të ketë ndodhur një ndryshim. Dhe pyetja është në ka ndryshuar PD apo Marku? Kjo është një pyetje themelore. Sigurisht që i bën nder kthimi në PD, sepse është një njeri me personalitet, me dinjitet, që nuk është i korruptuar, nuk ka pasur konflikt interesi. Marku nuk bën pjesë tek ata, të cilët bëjnë kalkulime për të qenë në jetën publike. Unë kam përshtypjen që Marku ka qenë stacion.

Mark Marku: Unë mendoj që unë personalisht nuk kam ndryshuar dhe as që kam ndërmend të ndryshoj më, në kuptimin e mendimit, reflektimit. Nëse e bëj diçka sot, nesër them se prit a është mirë apo jo. Në këtë kuptim nuk ndryshoj si njeri, si karakter. Unë kam një parim, njeriu pas të 30-tave nuk ndryshon më. Nuk mendoj se ndryshon njeriu 54 vjec, aq më tepër një njeri që e ka krijuar vetë veten. Pra, shenjat janë se po ndryshon PD-ja. Unë jam bërë deputet në PD para 13 vitesh dhe është normale që do ndryshojë, se edhe betoni ndryshon. Çdo realitet politik-elektoral ka dinamika dhe nevoja të ndryshme. Në një moment del një, futet dikush tjetër. Unë nuk e shoh Romeo Gurakuqin si të përjashtuar nga PD. Nuk e ka përjetuar mirë, por unë jam për pak sportivitet në jetën politike. Largimi nga jeta politike nuk është si ta dënosh njeriun, por në fakt ta shpëtosh. Njerëzit që luftojnë për jetë a vdekje në politikë, më duken si njerëz që kanë interesa shumë të mëdha, gjë që nuk e ka Romeo.

Dy vjet para se PD të ikte nga pushteti, unë edhe me shkrim, edhe publikisht, e kam thënë se nëse PD nuk rithemelohet, nëse nuk ndryshon, nëse vazhdon të qeverisë kështu pa reflektuar, ose do të humbasë, por edhe po qeverisi, do të qeverisë për të keqen e shqiptarëve. Unë mendoj që ndryshimi është shumë i mirë, është gjenerues. Nevoja për ndryshim është shumë e madhe. Ashtu sic e kam thënë atëherë atë, edhe tani po e bëj për të njëjtën arsye.