Arrestimi i ish-drejtorit të LSI, u shkarkua dy herë për abuzime

AKTUALITET


Ish drejtori i Agjencisë së Mirëqenies dhe Kujdesit Social në Gjirokastër, njëkohësisht ish-funksionar i LSI për këtë rreth, Armand Mamani, kishte favorizuar, jo një, por dy të afërme të tij, për të marrë energji elektrike nga institucioni, me qëllim për të furnizuar bizneset e tyre që ndodheshin pranë institucionit shtetëror. Ai rezulton se është një nga funksionarët e LSI, që ka mbajtur poste drejtuese në Gjirokastër dhe dy herë është shkarkuar për abuzime me detyrën.

Në lidhje me arrestimin e tij Mamanit, Policia e Gjirokastrës ka dhënë detaje të reja, lidhur duke shpjeguar se bashkë me të është arrestuar një nga abuzueset dhe është shpallur në kërkim tjetrën.

Sipas policisë, arrestimi i tij është bërë, pasi në depon e A.M.K.S. Gjirokastër është konstatuar një kabull elektrik i lidhur në mënyrë të paligjshme, i cili përcillte energji elektrike në një objekt dy katesh, ambient i përshtatur për aktivitet tregtar, në përdorim nga shtetaset L. Baholli 40 vjeçe dhe E.Zh., 53 vjeçe, veprim i cili është kryer me miratimin e ish drejtorit të A.M.K.S. Gjirokastër, i cili i kishte të afërme shtetaset e mësipërme.

Policia shpjegoi zyrtarisht se Mamani dhe Baholli u arrestuan për “Vjedhje të energjisë elektrike”, ndërsa po punohet për gjetjen dhe arrestimin e 53-vjeçares E. Zh. Mediat raportojnë se Mamani është kapur pranë kampit të LSI në Jalë dhe më pas është transferuar në Gjirokastër.

Armand Mamani rezulton të jetë një ndër drejtuesit kryesorë të LSI në Gjirokastër. Më herët, Mamani ka mbajtur edhe postin e drejtorit të Spitalit Rajonal të Gjirokastrës. Ai u shkarkua si drejtor në bashki pas një raporti auditi të brendshëm, në të cilin ishin konstatuar shkelje të rënda në detyrë.

Ndërkohë, Mamani ka rezultuar me probleme edhe kur ka qenë drejtor i spitalit. Në një tjetër raport auditi të kryer nga Ministria e Shëndetësisë në atë kohë, ishte konstatuar se drejtori i besuar i LSI në Gjirokastër kishte abuzuar me fondet publike të spitalit, por që i kishte shpëtuar drejtësisë.



Skip to toolbar