Blerina Gjylameti, kandidatja për deputete në listën e hapur të PS, për qarkun e Tiranës tha në emisionin “Real Story” se PS ka bërë një transformim të Tiranës.
Sipas saj puna në ekip ka bërë që pavarësisht boshllëqeve punët të mos ngelen mbrapa. Ajo shtoi se tashmë zonat periferike të Tiranës janë njehësuar me qendrën dhe se qeveria do të ishte më e mirë, nëse përballë do të kishte një opozitë më të mirë dhe të fortë.
“PS gjithmonë ka qenë ekip me një larmishmëri shumë të madhe dhe përfaqësime të ndryshme që ka bërë që boshllëqet që kemi të mbushen dhe punët tona të realizohen. Ka dhe diçka që puna që ka bërë Veliaj, shkollat, çerdhet, e shumë të tjera, dhe qytetarët shikojmë këtë. Tirana ka ndryshuar shumë. Pritshmëritë tona kanë ndryshuar, ne sfidën nuk e kemi me ata, e kemi me veten, të jemi më mirë se mandatet e mëparshme. Nëse opozita do të ishte më e fortë, qeverisja do të ishte dhe më e mirë. Pritshmëria është e ndryshme, ajo është edhe sfida jonë. Ne kemi një sfidë tjetër, ne kemi një sfidë shumë të madhe, që qytetarët të regjistrohen atje ku jetojnë. Regjistrimi i tyre bën që parashikimi dhe planifikimi që kemi në arsim apo shëndetësi të jetë më numrin e banorëve”, tha Gjylameti.