Arrestohet në Belgjikë për trafik droge, i sekuestrohen 22 pasuri në Durrës dhe Vlorë

AKTUALITET


Policia e Shtetit njoftoi se ka sekuestruar 22 pasuri të një personi të arrestuar në Belgjikë për trafikim të lëndëve narkotike, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Filtri”, i zhvilluar si rezultat i punës së mirëkoordinuar informative dhe operacionale, nga Njësia “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Hetimore qendrore, homologët belg dhe dvpt-të Vlorë, Durrës dhe Tiranë. Sekuestrohen 22 pasuri (të paluajtshme dhe automjete) në pronësi të një 50-vjeçari aktualisht të akuzuar nga autoritetet belge, si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim droge, si dhe të familjarëve të tij”, tha policia.


Në kuadër të procedimit pasuror që shërbeu për finalizimin e këtij operacioni, si dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u sekuestruan 22 pasuri (të paluajtshme dhe automjete), në pronësi të shtetasit E. G, 50 vjeç, lindur në Vlorë, dhe të familjarëve të tij.

“50-vjeçari aktualisht ndodhet në dhomat e paraburgimit në Bruksel, Belgjikë, i akuzuar për veprat penale “Trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, të kryera në formën e organizatës kriminale”, tha policia.

Në kuadër të operacionit “Filtri”, u sekuestruan 18 pasuri të paluajtshme (apartamente, sipërfaqe toke, njësi shërbimi, garazh dhe depo), të ndodhura kryesisht në lagjen “Uji i ftohtë”, Vlorë dhe në Durrës, si dhe 4 automjete të tipeve të ndryshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga shtetasi E. G. dhe nga familjarët e tij, për shkak të veprimtarive kriminale të 50-vjeçarit.

Vijojnë hetimet me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që mund të kenë si burim, veprimtaritë kriminale të shtetasit E. G.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprime të mëtejshme.




Skip to toolbar