Asgjesohen mbi 10 mijë bimë kanabis në Velipojë, pezullohen nga detyra 4 policë

AKTUALITET


Si rezultat i inteligjencës policore, të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, evidentohet dhe goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike, në territorin e njësisë administrative Velipojë.

Asgjësohen nëpërmjet djegies 10 920 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa që ishin kultivuar në këtë fshat.

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ngriti një grup të posaçëm hetimor, për të përcaktuar përgjegjësinë e strukturave përkatëse vendore, për shkaqet e mosevidentimit të kësaj veprimtarie kriminale, nga vetë këto struktura, deri në këto momente.

Nga hetimet paraprake, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit pezulloi nga detyra, për mospërmbushje të detyrave (shkelje e parashikuar nga neni 209/1 i rregullores së Policisë së Shtetit), 4 punonjës policie:

Nënkomisar Pal Prendi, shef i stacionit të policisë Velipojë, nënkomisar Admir Xhaka, specialist për krimet.
Inspektor i parë Arben Tahiraj, ndihmës specialist SPZ për zonën, nënkomisar Ardian Çuli, specialist i njësisë Shqiponja, përgjegjës i zonës për kontrollin e territorit nga DVP Shkodër.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe ato të Stacionit të Policisë Velipojë, pas informacionit të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në territorin e njësisë administrative Velipojë.

Si rezultat, janë gjetur të kultivuara 10 920 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Një pjesë e tyre janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër është asgjësuar nëpërmjet djegies.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë, kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, dhe po punohet për dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale të tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit vijon hetimin e thelluar administrativ, për nxjerrjen e përgjegjësive lidhur më këtë rast.



Skip to toolbar