Babai mbajti peng 2 fëmijët e mitur, 40-vjeçari, i dënuar në Itali për vjedhje

AKTUALITET


Policia e Durrësit ka sqaruar ngjarjen e rëndë të ndodhur në Durrës, ku babai mbajti peng dy fëmijët e mitur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30 në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”. 40-vjeçari Aleks Marku mbante peng fëmijët e mitur 6 dhe 11 vjeç, në një apartament që e kishte marrë me qira. Për neutralizimin e tij u Policia e Durrësit kërkoi bashkëpunimin e forcave RENEA. Marku gjatë thirrjes nga policia për t’u dorëzuar ka qëlluar nga dritarja me armë zjarri kallashnikov.


40- vjeçari u arrestua për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Pas verifikimeve ka rezultuar se në Itali, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.

Gjithashtu mësohet se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e 40-vjeçarit. Por në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë.

Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, grupi hetimor vijon hetimet dhe veprimet procedurale, për të përcaktuar nëse 40-vjeçari ka qenë në efektin e lëndëve psikotrope, gjatë ngjarjes, si dhe për të dokumentuar me prova të ligjshme, rrethanat e tjera të këtij rasti.




Skip to toolbar