Balla kërkon votat e PD për “Drejtësinë”: Nuk është tradhti të bësh diçka të mirë për vendin

Më të fundit


Në Kuvend, prej disa muajsh tashmë po punohet për një paketë ndryshimesh në disa ligje që janë pjesë e Reformës në Drejtësi, dhe Taulant Balla i bëri sot thirrje opozitës që t’i votojë.

Në një dalje për mediat pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kreu i këtij grupi shprehu gatishmërinë e mazhorancës për t’u ulur me opozitën në një tryezë e për të diskutuar.


I pyetur se me cilën nga “opozitat” kërkon të bashkëpunojë PS, Balla tha se bëhet fjalë për Partinë Demokratike.

“Për hir të punës të përbashkët të ulemi dhe të diskutojmë çështje që meritojnë të punojmë së bashku. Mezi pres që të ulemi dhe të diskutojmë dhe të shkojmë t’i votojmë,” deklaroi Balla.

Po ashtu, Taulant Balla theksoi se kolegët e opozitës nuk mund të “akuzohen” për tradhti nëse bashkojnë votat me mazhorancën për të “zgjidhur diçka të mirë për Shqipërinë.”

Ndërsa, i pyetur nëse do të pranojë “ofertën” e opozitës për Avokatin e Popullit, Balla theksoi edhe një herë se ky pozicion duhet t’i jepet dikujt që është i paanshëm politikisht.




Skip to toolbar