Balla: PD të pranojë rezultatin e 25 Prillit dhe ftesën tonë

Më të fundit


Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i ka bërë thirrje partisë Demokratike që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të 25 Prillit dhe ftesën për bashkëpunim të mazhorancës. Balla tha se bashkëpunimi mes palëve duhet kryer në funksion të një reforme të thellë politike për vendin.

“PD e 8 Dhjetorit 1990 nuk ka pasur kurrsesi asnjë lloj lidhje me PD-në e sotme. Dhe që PD që lindi si parti e idealeve të Dhjetorit nëse i ka mbetur sado ADN nga ajo e dhjetorit 1990 duhet që sot të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, të pranojë ftesën tonë të sinqertë për të punuar prej 9 Shtatorit në parlamentin e ri në funksion të një reforme të thellë politike në vend që duhet të përfshijë edhe parlamentin, që duhet të përshijë një rol më të rëndësishëm të parlamentit si organi dhe si struktura më e rëndësishme në vend. Në këtë këndvështrim mendoj që i kemi mundësitë të ecim përpara në një proces shumë të rëndësishëm i cili ende bën bashkë shumicën e shqiptarëve. 90% e qytetarëve shqiptarë mbështesin procesin e integrimit shqiptar në Be. Kjo mbështetje është më e madhe se sa mbështetja që kanë vetëm dy partitë e mëdha”, tha Balla.


Balla bëri thirrje për lexim me kujdes të vendimit të popullit më 25 Prill, ndërkohë që paralajmëroi se me legjislaturën e ardhshme duhet punuar intensivisht për një reformë më të thellë zgjedhore.

“Këto zgjedhje duhet të jenë të fundit që u administruan nga komisionerë politikë dhe numërues politikë”, tha Balla.

Sipas Ballës, Partia Socialiste ka humbur nga një mandat në disa zona për pak vota. Në Elbasan, atje ku ishte drejtues politik nënkuptoi se pas shpalljes së rezultatit mund të kërkojë në KQZ rinumërimin e disa votave të pavlefshme, të cilat sipas Ballës mund t’i japin PS-së në këtë qark mandatin e 9.

Ndër të tjera, Balla tha se mazhoranca nuk ka ndërmend që të marrë presidencën, por do një President mbi palët. Sipas tij, Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën pasi ka mbajtur anën e një partie politike.




Skip to toolbar