Bardhi kërkesë Begajt: Ktheni për rishqyrtim në Kuvend ligjin për komisionet hetimore

Më të fundit


Në seancën e fundit plenare të 21 Dhejtorit, mazhoranca në mënyrë të njëanshme dhe pa një debat parlamentar miratoi disa ndryshime në ligjin për funksionimin e Komisioneve Hetimore. Prej datës 5 Tetor bllokimi i kërkesave të opozitës për ngritjen e disa komisioneve hetimore është bërë shkak për përplasjen e palëve në Parlamentet, ku nuk ka patur senaca plenare apo mbledhje të Komisioneve në mënyrë normale.

Miratimi i ndryshimeve të njëanshme nga socialistët është marë nga deputetët demokrat si një provokim i tyre dhe mbyllje përfunidmtare e mundësisë për ngritje të Komisioneve Hetimore në të ardhmen.


Sot Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Berdhi i është drejtuar zyrtarisht Presidnetit të Republikës duke i argumentuar antikushtetutshmërinë e ndryhsimeve të bërë nga socialistet dhe duke i këkruar të kthejë për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 106/2023, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8991, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit””.

Për grupin parlamentar të PD ligji i propozuar dhe miratuar vetëm me votat e socialistëve, ka në vetvete tre qëllime kryesore: (i) ligjërimin e vendimmarrjeve antikushtetuese të deritanishme për rrëzimin e kërkesave të deputetëve të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore; (ii) vendosjen nën kontroll të plotë të mazhorancës të drejtën e deputetëve të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore; dhe (iii) në rast të ngritjes së komisioneve hetimore, pamundësimin e ushtrimit të kontrolli hetimor parlamentar efektiv.

Në një letër prej 7 faqesh, demokratët argumentojnë antikushtetutshmwrinw e ligjit tw miratuar, duke dhwnw 5 argumente kryesore: se:
1. Në ligjin e miratuar nga socialistët nuk gjejnë reflektim qëndrimet e konsoliduara të Gjykatës Kushtetuese, ku theksohet se Kuvendi, në rast se kërkohet ngritja e një komisioni parlamentar nga një e katërta e deputetëve të Kuvendit, ka detyrimin që të mos ia nënshtrojë debatit parlamentar, por vetëm të diskutojë lidhur me shkallën e respektimit të parimeve kushtetuese në objektin e veprimtarisë së tij. Dhe në rast se shumica parlamentare ngre pretendime lidhur me mosrespektimin e parimeve kushtetuese, ajo ka të drejtë t’i propozojë pakicës formulime alternative, deri në arritjen e një konsensusi. Megjithatë, këto propozime alternative nuk mund të jenë të atilla sa të reduktojnë objektin e hetimit deri në atë masë sa t’ia pamundësojë komisionit kryerjen e veprimtarisë së tij.

2. Mungesa e parashikimeve që shprehin qartë detyrimin e Kuvendit për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare kur kërkohet nga numri i përcaktuar në Kushtetutë i deputetëve, si dhe propozimi i formulimeve alternative lidhur me objektin e veprimtarisë nëse vlerësohet se cënohen parime a standarde kushtetuese, i jep mundësi mazhorancës që të vlerësojë në diskrecionin e saj përmbushjen ose jo të këtyre parimeve dhe pa bërë ndonjë përpjekje për të gjetur konsensus, të vendosë rrëzimin e kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore. Praktikisht, nga mënyra e formulimit të dispozitave të sipërcituara, ngritja ose jo e një komisioni hetimor është tërësisht në diskrecionin dhe interpretimin e mazhorancës. Kushtetutbërësi ka pasur për qëllim të shmangë pikërisht këtë lloj diskrecioni, i cili praktikisht e zhën këtë mekanizëm kontrolli që ka opozita në një shtet demokratik.

3. Ligji vjen në kundërshtim me një prej qëllimeve kryesore që ka ngritja e një komisioni hetimor të Kuvendit. Konkretisht, komisionet hetimore ngrihen me qëllim njohjen dhe verifikimin e një fenomeni, një ngjarjeje ose një veprimtarie të caktuar. Pra, në thelb të veprimtarisë së komisioneve hetimore qëndron transparenca për median, opinionin publik dhe qytetarët. Shtimi i rasteve të zhvillimit të mbledhjeve me dyer të mbyllura, disa prej tyre mjaft evazive dhe që lënë vend për interpretim të gjërë, vetëm me votat e mazhorancës, vjen në kundërshtim me parimin e transparencës. Kjo pasi, rast pas rasti, anëtarët e mazhorancës do të vlerësojnë kur duhet të bëhet transparencë për aspekte të caktuara të veprimtarisë së komisionit dhe në cilat raste do të veprohet në mungesë transparence.

4. Ndryshe nga përcaktimi aktual që marrja e provave dhe thirrja e dëshmitarëve bëhet nga çdo anëtar i komisionit dhe pranohet pa votim, në ligjin e ndryshuar parashikohet që marrja e provave dhe thirrja e dëshmitarëve të kryhet me vendim të shumicës. Praktikisht, nëpërmjet kësaj dispozite synohet të sanksionohet që provat që do të merren dhe dëshmitarët që thirren të jenë tërësisht në vullnetin e mazhorancës, e cila ka edhe numrin më të madh të anëtarëve në komision. Pra, do të jetë mazhoranca që do të vlerësojë nëse një provë duhet të merret ose jo, apo nëse një dëshmitar duhet të thirret ose jo. Në fakt, një mekanizëm i tillë do ta zhbënte të drejtën e pakicës parlamentare për kryerjen e një hetimi efektiv, pasi të dhënat dhe dëshmitë që do të administroheshin nga komisioni do të ishin tërësisht në diskrecionin e mazhorancës.

5. Marrja e një autorizimi nga prokuroria ose gjykata është e paprecedentë në asnjë shtet të së drejtës apo shoqëri demokratike, edhe në kontekstin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Ashtu siç është shprehur Gjykata Kushtetuese në mënyrë të përsëritur ekzistenca e një procesi penal nuk përbën pengesë për veprimtarinë hetimore të Kuvendit, në kushtet kur qëllimet që ndjekin janë të ndryshme. Nga ana tjetër, dhënia e të drejtës dëshmitarit për të refuzuar përgjigjen në çdo rast që ai vlerëson se vetë apo persona të lidhur me të mund të ekspozohen ndaj hetimeve, mund të përdoret si taktikë nga dëshmitarët apo mbrojtësit e tyre për të refuzuar transparencën dhe llogaridhënien në raport me komisionin hetimor.

Në përfundim, kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi i kujton Presidentit të Republikës se “hyrja në fuqi e këtij ligji, që në mënyrë antikushtetuese nuk lejon kontrollin efektiv parlamentar nga ana e pakicës, do të minonte çdo mundësi dialogu mes palëve politike në Parlament, për gjetjen e një zgjidhje mbi situatën e krijuar. Në këtë kuptim, Presidenti i Republikës, si Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, duhet të luaj rolin e tij kushtetuese për të nxitur dhe mundësuar dialogun politik mes palëve, ku përfshihet edhe diskutimi dhe miratimi konsensual i ndryshimeve në ligjin për Komisionet Hetimore”.




Skip to toolbar