Analisti Skënder Minxhozi bëri një analizë të situatës politike në vend, duke u ndalur tek përçarja e PD, deklaratat për bashkimin e saj, si edhe rolin e Gazment Bardhit në këtë mes.
Gjatë intervistës në emisionin “Real Story” në ABC, Minxhozi u shpreh se Gazment Bardhi, nuk mund të jetë një zgjidhje për situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike aktualisht.
“Gaz Bardhi ndodhet tani mes atij ballkoni dhe atyre të Uashingtonit. Është një tërheqje shumë e fortë, hija e rëndë e doktorit, fuqinë politike brenda atij kuadrati e ka jo të vogël dhe në anën tjetër Amerika që thotë ‘jo’ Berisha. Gazment Bardhi ka vetëm një avantazh, që është një farë “soji i treti” në këtë histori, por një i tretë rastësor. Nuk ka as karrierën e rëndë e të gjatë të Berishës dhe nuk ka as karrierën e Bashës. Dhe vjen si një zgjedhje e Lulzim Bashës. Dhe po ashtu vjen si një zgjidhje emergjente dhe jo si një zgjidhje largpamëse. Ky kuadrat në mes është i shumtë, por s’ka lider. Por pse amerikanët merren me Bardhin? Sepse në këtë moment protagonizmin politik e ka Gazment Bardhi. Por unë jam i bindur se nuk mund të jetë Bardhi një zgjidhje”, u shpreh ai.